Reklame:

Bujqesia dhe blegtoria ne kohe pandemie, Qytetet Agroturistike ne krize financiare

 Nuk ka treg, nuk ka shkëmbime, ka kufizime në lëvizje, mungesë subvencionesh dhe mbi të gjitha mungesë mbështetjeje në një situatë të vështirë. Kjo është gjendja e sektorit të bujqësi-blegtorisë në Lezhë dhe ne te gjithe Shqiperine pas pandemisë së Covid 19, duke ndikuar negativisht në ekonominë e brishtë të fermerëve. Pezullimi i punës së restoranteve të agroturizmit, mbyllja e tregjeve dhe kufizimi i lëvizjes po ndikojnë negativisht në këta sektorë e për pasojë në ekonominë e rreth 50% të popullsisë në Bashkinë e Lezhës, popullsia e të cilit është përgjithësisht rurale pasi  37, 8% jetojnë në zona urbane dhe 62.2% në zona rurale.

Në Kallmet të Lezhës, një tabelë e vendosur në mes të parcelës që tregon se shitet jonxhe është pika e vetme që fermeri synon të tërheqë blerësin e tij. Askush nuk i shkon në fshat sepse fshatarët nuk mund të lëvizin lirisht pas masave të qeverisë për të parandaluar përhapjen e Koronavirus. Mikro-fermerët dhe produktet e tyre në sasi të vogla nuk po gjejnë treg. Duke mos pasur autorizime për të lëvizur drejt qytetit, mbyllja e tregut të lirë dhe mbyllja e shumë bizneseve të shërbimit (restorante, gjellëtore etj) ka bërë që të rritet stoku dhe të rriten kostot e tyre.

Fermerët dhe blegtorët në Zadrimë të Lezhës kishin gjetur tregun e tyre shumë afër, restorantet e agroturizmit, por ato u mbyllën  duke mbyllur një pikë të sigurt për tregtimin e prodhimeve të zonës së tyre. Ridvan Bardhi është një fermer i ri nga Krajni i Lezhës. Pasi ka biseduar në telefon me Altin Prengën, një grumbullues që ende nuk është dorëzuar, ka siguruar shitjen e gjalpit dhe vezëve. Për fatin e tij, transporti nuk i kushton shumë sepse distanca është e shkurtër. Ai pranon të na prezantojë vështirësitë dhe problematikat me të cilat i duhet të përballet çdo ditë në kohën e covid19.

Ai e dorëzoi prodhimet e tij ndërsa flet për vështirësitë aktuale. I riu nga Krajni tregon peripecitë e këtyre ditëve, duke qenë i bindur se dorëzimi i prodhimeve të fermës së vogël familjare me vetëm 20 pula dhe 4 krerë lopë që ai ka, është zgjidhja e vetme për të mbijetuar dhe siguruar të ardhura.

Nuk është aspak e lehtë për ne në këtë situatë, na thotë Ridvani, duke shtuar se fatmirësisht ka gjetur zgjidhje”. Produkti shitej lehtësisht më parë, ndërsa tani është vendosur në kërkim të blerësve. Duke mos pasur mundësi për të lëvizur, ka telefonuar grumbulluesin duke siguruar shitjen e produktit që kishte arritur të mblidhte. “Kemi sjellë burrofresko dhe vezë, të cilat i sigurojmë nga pularia jonë e vogël dhe lopët që mbajmë dhe për ne si fshatarë, kjo është një ndihmë se ndryshe nuk kemi ku t’i tregtojmë”

Ridvani i di mirë vështirësitë e kësaj gjendjeje të krijuar, por thotë se do të vijojnë ta mbajnë fermën sepse ajo është mbijetesa e tyre. “Nëse do të kemi vështirësi në sigurimin e tregut do iu hedhim më pak për të ngrënë që të ulet prodhimi dhe për ti përdorur produktet për përdorim në familje”, shprehet ai.

Blerësve iu duhet të sigurojnë lëvizje edhe për mjetet në mënyrë që të shkojnë në fshat për blerje, por kjo nuk është e lehtë dhe përgjigja ndonjëherë nuk kthehet aspak dhe për Ridvan Bardhin tashmë kjo situatë është bërë fakt. “Duke qenë se lëvizja është e kufizuar asnjë blerës nuk mund të vijë dot te ne e sigurisht as ne nuk mund të shkojmë tek ata sepse ata janë blerës familjarë. Duhet të lëvizet me automjet dhe leja është e vështirë të sigurohet. Blerësit e mëdhenj nuk vijnë tek ne sepse fundja sa mund t’i afroj unë me 15 pula!”, tregon i shqetësuar Ridvani.

Fermerët e vegjël janë të shumtë në Lezhë. Statistikat tregojnë se edhe punësimi në këtë sektor është jetik kryesisht në fshat. Tabela më poshtë tregon qarte se numri më i madh i të punësuarve është në sektorët Bujqësi/Blegtori.

Të punësuar sipas sektorëve /aktiviteteve ekonomike (%)

Sektorët ekonomikë me potencial më të lartë zhvillimi për në Lezhë janë Bujqësia dhe Blegtoria me një fokus të veçantë në zhvillimin e Agro-Industrisë dhe Agrobiznesit dhe më pas vjen turizmi.

Toka bujqësore është e konsiderueshme në Bashkinë e Lezhës dhe prodhimet e saj janë të kërkuara në treg, ndaj edhe ka pasur një lloj nxitjeje vitet e fundit. Lezha ka 18,496 hektarë tokë bujqësore, 19,256 ha pyje, 5,110 Ha Kullota dhe 2,884 Ha toke inproduktive (jo e punueshme). Toka bujqësore në Lezhë përfaqëson 53% të tokës bujqësore në të gjithë qarkun, ku përfshihen edhe Kurbini e Mirdita dhe 3% në nivel vendi. Më poshtë tregohet struktura e detajuar e tokës për çdo njësi. Në këtë mënyrë mund të kuptohet edhe nevoja për të mbështetur këtë sektor sidomos në këtë periudhë.

Tabela 11 Struktura e Tokës në Zonën Funksionale Lezhë (në Ha), 2014

Ky numër i madh fermerësh dhe sipërfaqet e tokës bujqësore me rendiment të lartë prodhimi janë një potencial i mirë ekonomik, por Covid 19 dhe bllokimi i lëvizjes do të krijojë jo vetëm vështirësi, por edhe reduktim të tyre. Altin Prenga është një grumbullues dhe fermer që operon në zonën e Zadrimës. Ai flet për një skenar të frikshëm kur thotë se mund të përballemi me çmime të rritura dhe kjo sepse do të reduktohen mbjelljet nëse nuk do të mbështetet bujqësia gjatë kësaj periudhe.

Ndihma që u ka dhënë deri më tani fermerëve si Fatbardhi është vetëm një zhvillim i vogël, pasi do të duhej që të ishin shumë grumbullues, përpunues dhe fermerë që kanë mundësinë dhe aftësitë për të dalë në treg. Ai shpjegon situatën, duke kërkuar që të shihet me prioritet ky sektor që deri më tani është lënë i harruar edhe në këtë situatë pandemie.

Altini e di mirë se fermerët kanë qenë gjithnjë në vështirësi dhe kjo pandemi thjesht e thellon vështirësinë e tyre ndërsa rendit disa arsye. “Mungesa e tregut, çmimet e larta të karburanteve, pesticideve, farërave apo thënë ndryshe, bujqësia nuk trajtohet dhe nuk subvencionohet sa duhet dhe siç duhet ndaj dhe sot ka këtë gjendje thuajse depresive”, thotë Altin Prenga.

Është një periudhe demoralizuese dhe shumë kaotike dhe sipas Altin Prengës do të reflektohet edhe tek mbjelljet. “Muaji prill, ndryshe pranvera, është koha e mbjelljeve në zonat rurale. Është koha kur mbillen ato që ne i quajmë koshtije dhe specialistët që realisht janë marrë me këtë punë janë të moshuarit dhe fatkeqësisht është në dorën e tyre një pjesë e madhe e bujqësisë dhe ata janë të izoluar. Në këto kushte shumë mikroferma nuk do të mbillen këtë vit dhe kjo është shumë e trishtë. Do të jenë këto mbjellje të munguara që do të na diktojnë korrjet pastaj dhe kjo do të sjellë rritje të çmimeve e për pasojë do të ndikojnë tek ekonomia  jonë familjare”, shpjegon sipërmarrësi Prenga. Pandemia ka bërë viktimë të saj edhe bujqësinë. Altin Prenga nuk ngurron të kërkojë që të diskutohet për këtë temë sepse fatkeqësisht sipas tij ende nuk është trajtuar.

Shitjet e produkteve lokale që grumbullohen janë një zgjidhje e mirë për të ndihmuar fermerët por nuk ka siguri sesa do të vazhdojë kështu”, shpjegon Altini, i cili uron që kjo të mbyllet shpejt, ndërsa shton se kjo është një mbështetje për fermerët sepse kanë siguruar në këtë mënyrë zinxhirin për fermerët që janë afër tyre. “Ne jemi si një pikë ujë në oqean dhe ndaj duhet bërë më shumë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë shpejt do të jetë akoma më vështirë për familjet e varfraToka nuk është fitimprurëse që të garanton blerjen e fuoristradave mijëra euroshe, por nuk të lë kurrë pa diçka”, shprehet ai.

Numri i Fermave në Lezhë

Pozicioni gjeografik i favorshëm, kushtet klimatike, rezervat e pasura ujore, tokat pjellore, dhe shtrirja e tyre përgjatë brigjeve të lumit, janë disa nga faktorët që mundësojnë një prodhimtari të pasur bujqësore dhe blegtorale në zonë. Bujqësia është një nga sektorët tipikë e tradicionalë pothuajse në të gjitha njësitë e zonës. Ky mbetet një sektor që përbën një burim të qëndrueshëm të të ardhurave për banorët e zonës.

Zona e Lezhës dallohet për prodhimtarinë qoftë të bimëve të arave po ashtu edhe pemëtarisë. Struktura e mbjelljeve me bimë arash si p.sh. drithëra buke (grurë e misër), perime (të njoma, të thata, bostane), patate, fasule, kultura industriale (soje) dhe foragjere jepet në tabelën më poshtë. e cila tregon qarte se Lezha ka sipërfaqet më të mëdha në rajon të mbjella me këto kultura. Kjo tregon edhe arsyet se përse duhet të bëhet më shumë për bujqësinë.

Në raport me nivelin kombëtar prodhimtaria varion nga 1% për fasulen dhe pataten, në 2% për perimet, 3% për drithërat dhe deri në 4% për foragjeret. Janë këto arsye që nëse nuk merren në konsideratë mund të sjellin rritje të çmimeve nëse mbjelljet nuk do të jenë sërish në këto raporte. Fermeri dhe grumbulluesi Altin Prenga e paralajmëron një skenar të tillë, por sigurisht edhe ekspertët flasin për të tilla pritshmëri.

Tabela 14 Prodhimi i kulturave të arave në tonë, Lezhë  

Specialist i bujqësisë në Njësinë Vendore të Bujqësisë në Lezhë, Ndoc Lleshi, tregon se pandemia nuk e ka kursyer këtë sektor, për pasojë thuajse gjysmën e vendit pasi kjo popullsi jeton në zona rurale dhe merret kryesisht me tokën. Shteti thotë specialist i bujqësisë Ndoc Lleshi i kthehet bujqësisë vetëm pasi ka përfunduar punë me sektorët e tjerë, por çdo vonesë do të thotë vonesa edhe në reagimin e bujqësisë.

“Si çdo sektor i jetës së vendit, Covid 19 ka goditur rëndë edhe bujqësinë. Si gjithnjë dhe për një kohë të gjatë, me fshatin, bujqësinë dhe bujqit, shteti merret kur i ka kryer të gjitha detyrimet e tjera, dmth konsiderohet sektor periferik. Ai vetëzhvillohet dhe nuk zhvillohet!”, tho ai.

Specialisti i Bujqësisë, Ndoc Lleshi flet edhe mbi mundësitë që ka dhënia e më shumë hapësire fshatit për lëvizje duke vendosur edhe argumentet e tij. “Densiteti i popullsisë për km katror në fshatrat e Lezhës është i ulët dhe i ashtuquajturi distancim social (fizik ) ruhet më mirë”, thotë ai.

Edhe Lleshi flet për mbjelljet e pranverës dhe frikën se ato do të reduktohen. “Kam dyshime të forta dhe të arsyeshme se kështu do të ndodhë. Kësaj i shtohen edhe rritjet e kostove në këtë periudhë dhe të gjithë këto faktorë do të ndikojnë edhe në çmimin e produktit që do të dalë në treg, aq më tepër në këto situata kaotike e të zhbalancuara. Kjo është koha ideale për matrapazllëk. Madje, ka edhe çmenduri të tilla që rritet kostoja e bie çmimi, deri në mos shitje, siç po ndodh në disa zona gjatë kësaj periudhe dhe ky fenomen është vështirsisht i kontrollueshëm”.

Në këtë kohë pandemie specialisti i bujqësisë në Lezhë thotë se bujqësisë i duhet një paketë e tërë ndihme, e detajuar, paketë krize dhe paskrize. Nëse vërtetë do të ketë masa, Ndoc Lleshi ka dyshime por shton se bujqësia nuk duhet të ndahet nga sektorët e tjerë të ekonomisë dhe jetës se vendit për shkak të ndërvarësisë, peshës dhe rolit ekonomik e social në vend.

Edhe blegtoria ndodhet në ditët e saj më të vështira. Fermat e vogla nuk kanë asnjë orientim si të sillen në këtë situatë. Mungon specialisti në terren, mungon bashkia në planifikim dhe mungon ministria për të parë mundësinë e mbështetjes. Për sa i përket sektorit të blegtorisë, veçanërisht e zhvilluar është blegtoria familjare, e cila është e specializuar në rritjen e bagëtive të imëta, gjedhit, derrave dhe shpendëve. Edhe blegtoria konsiderohet si një nga drejtimet kryesore të zhvillimit ekonomik në Lezhë. Tabela më poshtë na jep të dhëna sesi ndodhet situata me blegtorinë dhe zhvillimin e saj. Lezha dallohet në nivel rajoni sa i përket numrit të derrave (62% e totalit të qarkut dhe 26% e totalit kombëtar); të leshtave (51% e rajonit); gjedhëve (49%), shpendëve (45%) dhe bletëve (43%).

Struktura e blegtorisë

Janë këta tregues që përcaktojnë se në fakt edhe blegtoria do të përjetojë krizë nëse nuk shihet me prioritet e për pasojë do të na ndikojë në rritjen e çmimeve. Blegtorët nuk janë në gjendje të mirë sepse ata vazhdimisht janë për mbijetesë dhe gjatë periudhës së pandemisë kjo situatë sa vjen dhe rëndohet. Specialisti i blegtorisë në Drejtorinë e Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës, Gjovalin Kaçeli,  jep një tablo të qartë të gjendjes, vështirësive dhe dëmeve që mund të shkaktohen nëse kjo kategori nuk do të marrë vëmendje dhe madje të shpejtë. Lezha ka në territorin e saj numrin më të madh të fermave të ndryshme blegtorale në raport me rajonin. Disa tregues paraqiten në tabelën më poshtë.

Numri dhe madhësia e fermave blegtorale

Blegtorët në kushte normale janë për mbijetesë dhe duhet të imagjinoni se cila është situata e tyre në këtë periudhë pandemie thotë specialisti i blegtorisë Kaçeli, duke vendosur si më të riskuarit ata që mbarështojnë bagëti të imta dhe shpendë. “Këta ndodhen në pikën kritike, pasi tregu kryesor i tyre ishin restorantet që tashmë janë mbyllur. Humbja ekonomike po i prek ata dhe nëse nuk do të ndihmohen e them me plot bindjen se janë të falimentuar.”

Ai e referon këtë gjendje nisur nga fakti se mos dalja në kohë në treg e produkteve të fermave blegtore do të sjellë mbajtjen e tyre në stabilimentet për një kohë më të gjatë se planifikimi e për pasojë rritje të kostove. “Ferma e blegtorit Tonin Shkëmbi në Torovicë të Lezhës, të cilën edhe po e ndjekim, ka 2 500 shpendë pula që konsumojnë minimumi 20 lekë të reja në ditë dhe imagjinoni kostot shtesë, pasi pandemia mund të zgjasë edhe me të tjerë muaj. Kostot do të tejkalojnë vlerën e vetë produktit ndaj duhet ndihmuar tani në mënyrë që të mos arrijmë në këtë pikë”.

Ruajtja e produktit është elementi kryesor që mund të shpëtojë këtë sektor dhe hartimi i programeve të tilla nga qeveria do të ishte mundësia më e mirë sepse do të shpëtonin blegtorët dhe do të kishim në treg produkte lokale shumë të sigurta dhe natyrale. Kaçeli ndalet këtu në një tjetër problematikë. “Këto programe që planifikojnë ruajtjen e produkteve të ndryshme nuk gëzojnë shumë vëmendje, por aktualisht ky është momenti për të kuptuar se duhen grumbulluesit e mëdhenj që kanë kapacitete për të ruajtur produktin. Nëse nuk do të mundësojmë diçka të tillë, kam frikë se do të arrijmë në pikën e padëshirueshme, ngordhjen e tyre dhe akoma më shumë dëm për ekonominë e brishte familjare të fermerëve”.

Ai shton se nëse mundi i tyre 1 vjeçar nuk po gjen treg atëherë këta blegtorë janë të falimentuar. E vetmja gjë që mund të bëjmë të gjithë së bashku është blerja e produkteve lokale.

Blegtorët i kanë filluar vështirësitë e tyre të para. Mungesa e bazës ushqimore për shkak të mos pasjes së stokut është vështirësia e parë. Ata kanë filluar të përdorim burime natyrore, por edhe kjo ka të tjera kosto sepse do të përdoren të mbjellat me grurë. Tonin Shkëmbi e sheh fermën e tij me frikë pasi 2 500 pula duan çdo ditë 20 mijë lekë ushqim dhe pandemia nuk ka një ditë për të përfunduar. Ai na tregon se shpendët e tij duhet të dalin në treg brenda 10 ditësh, pasi e kanë arritur fazën e pjekurisë, por nuk e ka një treg.

“Restorantet me të cilat unë kam bashkëpunuar janë mbyllur, marketet duan produkt të përpunuar dhe në këtë situatë unë nuk kam se ku të gjej një treg. Nuk mund ti mbaj për një kohë të gjatë për arritjes së ciklit të prodhimtarisë sepse kostot do të tejkalonin edhe vetë çmimin e tyre duke thelluar humbjet e mëtejshme. Nuk di ku të drejtohem, nuk di çfarë zgjidhjet të marr sepse nuk gjej dot një zgjidhje. Kostoja ditore e një shpendi është 20 lek dhe çmimi i pulës shkon në 1 000 lekë dhe kaq mjafton për të kuptuar se përse nuk mund të mbahen më shumë se periudha e paracaktuar. Nëse unë do të falimentoj atëherë nuk do të mund të rikthehem sërish sepse shpenzimet e realizuara për këtë sasi pulash ka qenë e konsiderueshme dhe unë nuk ka rikuperuar ende investimin që të përballoj humbjet. Nuk di çfarë të them, por di që nëse restorantet nuk rihapen shpejt atëherë ferma ime ka marrë fund. Ndoshta ka ardhur moment që të planifikohen edhe investime të tilla për ruajtjen e produktit, ndihmë që Ministria e Bujqësisë mund të realizojë duke mbështetur iniciativa të tilla që jam i bindur se nuk mungojnë.”

Mosha e fermerëve dhe blegtorëve është relativisht e lartë dhe ka pak të rinj që duan të merren me bujqësi. Mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes gjatë kësaj periudhe do të ulte edhe më tej besimin e të rinjve tek ky sektor e për pasojë duke ndikuar në prodhimin vendas.  Mungesa e tregjeve agro-bujqësore, qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe përpunimit të prodhimeve bujqësore, frutave dhe perimeve, thertoreve, fabrikave të përpunimit të qumështit e mishit janë të tjerë element që po e vështirësojnë bujqësinë dhe blegtorinë në Lezhë. Këtu përfshihen edhe kostot e larta për punët e bujqësisë dhe blegtorisë si: energjia, karburantet, pesticidet, farërat,  lënda djegëse dhe ambalazhimi – kryesisht i importuar. Bujqësia dhe blegtoria ndodhen në situatë të vështirë, vazhdon të flitet pak dhe mbështetje thuajse aspak. (Portavedore)