Reklame:

Peshkaqen ne detet shqiptare/ Gjenden te ngordhur dy specie te rrezikuara

Gjatë këtyre dy javëve të fundit, administrata e zonave të mbrojtura ka njoftuar për gjetjen e dy peshkaqenëve interesant në ujërat shqiptarë.

  Më datë 27 prill në plazhin e Velipojës është gjendur i ngordhur një peshkaqen shtegtar (Cetorhinus maximus). Megjithëse individi i gjetur në plazhin e Velipojës nuk ishte i rritur duhet theksuar se bëhet fjalë për llojin më të madh të peshkaqenëve të detit Mesdhe, i cili mund të kalojë 8 metrat e gjatësisë. Po ashtu, ky nuk është një lloj agresiv pasi ushqehet me plankton dhe me shumë gjasa ka ngordhur për shkak të peshkimit me pushkë nënujore. Peshkaqeni shtegtar është një lloj i rrezikuar dhe ka qenë i pranishëm në Librin e Kuq dhe është propozuar që të jetë përsëri në rishikimin e kësaj liste me statusin si i rrezikuar.

Ndërkohë në datën 2 maj, në zonën midis Himarës dhe Porto Palermos është kapur dhe një tonil (Isurus oxyrinchus) i cili është gjetur i ngordhur brenda rrjetave të peshkimit. Tonili është njëlloj i rrezikuar dhe po ashtu është peshkaqeni më i shpejtë i Mesdheut.

Duhet theksuar se peshkaqenët dhe rajat në përgjithësi janë të rrezikuar në Mesdhe nga aktiviteti njerëzor dhe sidomos nga ai i peshkimit. Është e rëndësishme që në të ardhmen të ketë më shumë kërkime të mëtejshme mbi zëniet dhe sjelljen e këtyre llojeve, si dhe ndërgjegjësimin e profesionistëve të detit, por dhe njerëzve të thjeshtë për të hartuar politikat dhe masat e duhura menaxhuese.

INCA së bashku me WWF Itali po zbatojnë një projekt që ka për qëllim të rritë ndërgjegjësimin për këto lloje të rrezikuara të peshkaqenëve, pasi në detin Mesdhe ata po kthehen në specie që tashmë rrezikohen nga peshkimi i tyre rastësor me anë të grepave të peshkatarëve dhe veçanërisht të atyre profesionistë në sasi më të mëdha, duke zvogëluar numrin e tyre dhe duke rritur rrezikshmërinë e zhdukjes së tyre.