Reklame:

Paralajmerimi i shkencetareve/ Pandemi me te keqija do te vijne, nese nuk mbrojme natyren

Pandemitë si COVID-19 mund të ndodhin më shpesh, nëse nuk ndalojmë së shkatërruari natyrën, paralajmëroi një grup ekspertësh të biodiversitetit. 1.7 milion viruse të paidentifikuara, të njohura për infektimin e njerëzve, vlerësohet se ekzistojnë te gjitarët dhe zogjtë e ujit.

Një grup ekspertësh të biodiversitetit paralajmëruan se pandemi të ardhshme janë në horizont, nëse njerëzimi nuk ndalon shkatërrimin e shpejtë që po i bën natyrës.

Teksa shkruanin një artikull që u publikua të hënën nga Platforma Ndërqeveritare Politikë-Shkencë mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit (IPBES), autorët e tij e vendosën mbi shpatullat tona përgjegjësinë për COVID-19.

“Ekziston një specie e vetme që është përgjegjëse për pandeminë COVID-19. Ajo specie jemi ne njerëzit. Ashtu si me klimën dhe krizat e biodiversitetit, pandemitë e fundit janë një pasojë e drejtpërdrejtë e veprimtarisë njerëzore, sidomos sistemet tona financiare dhe ekonomike globale, bazuar në një paradigmë të kufizuar që vlerëson me çdo kusht rritjen ekonomike. Ne kemi një mundësi të vogël, për të kapërcyer sfidat e krizës aktuale, për të shmangur mundësinë e krizave të ngjashme në të ardhme”, shkruan autorët në IPBES.

Autorët e raportit përfshijnë tre bashkë-drejtuesit e Raportit Gjithëpërfshirës të Vlerësimit Global IPBES 2019 mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, i cili zbuloi se një milion specie bimësh dhe kafshësh janë në rrezik zhdukjeje brenda dekadave të ardhshme. Autori i katërt, Peter Daszak, është kryetar i Aleancës EcoHealth dhe ka për detyrë të drejtojë vlerësimin e ardhshëm global të IPBES, siç raportoi The Guardian.

Autorët argumentojnë se planet stimuluese të qeverive duhet të përfshijnë nisma të qëndrueshme dhe pozitive për natyrën.

“Në këtë periudhë mund të jetë e arsyeshme politikisht që të qetësohen standardet mjedisore dhe të mbështeten industri të tilla si bujqësia, transporti në distanca të gjata siç janë linjat ajrore dhe sektorët e energjisë të varur nga lëndët djegëse fosile, por duke e bërë këtë pa kërkuar ndryshim urgjent dhe rrënjësor, në thelb subvencionohet shfaqja e pandemive të ardhshme”, shkruan autorët.

Ata gjithashtu fajësojnë lakminë e papërmbajtur për të lejuar që mikrobet që shkaktojnë sëmundje të reja të kalojnë nga kafshët te njerëzit.

“Shpyllëzimi i shfrenuar, zgjerimi i pakontrolluar i bujqësisë, bujqësia intensive, minierat dhe zhvillimi i infrastrukturës, si dhe shfrytëzimi i specieve të egra kanë krijuar një ‘stuhi të përsosur’ për përhapjen e sëmundjeve nga jeta e egër te njerëzit”, shkruan ata në artikullin e tyre.

Ata paralajmërojnë se vlerësohet se te gjitarët dhe zogjtë e ujit ekzistojnë 1.7 milionë viruse të paidentifikuara të njohura që infektojnë njerëzit. Secili prej tyre mund të jetë më shkatërrues dhe vdekjeprurës sesa COVID-19.

Duke pasur parasysh këtë, autorët sugjerojnë tre aspekte që duhet të merren parasysh për planet stimuluese të lidhura me COVID-19. Vendet duhet të forcojnë rregulloret mjedisore; të adoptojë një qasje ‘Një Shëndet’ për vendimmarrjen që njeh ndërlidhje komplekse midis shëndetit të njerëzve, kafshëve, bimëve dhe mjedisit tonë të përbashkët, si edhe të mbështesin sisteme të kujdesit shëndetësor në vendet më të rrezikuara ku burimet janë të tendosura dhe të varfra. “Ky nuk është altruizëm i thjeshtë, por është investim jetik në interes të të gjithëve për të parandaluar shpërthimet e ardhshme globale të viruseve të ndryshme”, argumentojnë shkencëtarët në artikullin e tyre në IPBES.

“Programet për të cilat po flasim do të kushtojnë dhjetëra miliarda dollarë në vit”, tha Daszak për The Guardian. “Por nëse merrni si shembull një pandemi, qoftë edhe vetëm një në një shekull, ajo kushton triliona dollarë, kështu që prapëseprapë dilni me fitim.

“Gjërat nuk do të shkojnë si zakonisht. Tani për tani për pandemitë pritet thjesht krijimi dhe shpresa për një vaksinë të mundshme. Kjo nuk është një strategji e mirë. Ne duhet të merremi me shkaktuesit e kësaj.”

Vlerësimi i tyre është mbështetur së fundmi nga të tjerë në komunitetin shkencor. Një studim i publikuar në fillim të këtij muaji fajësoi ndikimin e njeriut te kafshët e egra për shpërthimin e COVID-19, siç raportoi The Guardian.

Autorët e artikullit të ri e përfundojnë artikullin e tyre me një shënim optimist në lidhje me qëndrueshmërinë e natyrës. “Ne mund të ngrihemi dhe të dalim më të fortë dhe më elastikë se kurrë nga kriza aktuale, por për ta bërë këtë, duhet të zgjedhim politika dhe masa që mbrojnë natyrë. Në këtë mënyrë edhe natyra mund të na ndihmojë të mbrojmë veten tonë”, shkruan ata.

https://www.ecowatch.com/pandemics-environmental-destruction-2645854694.html