Reklame:

Tokat ne platforme online/ Te dhenat e pronesise, hartat dhe parcelat gjithçka ne web

Të dhënat mbi tokën bujqësore  do të publikohen të gjitha në një platformë online me qëllim që të shmangen mbivendosjet, paqartësitë apo të eleminohen problematikta me pronësinë që kanë ekzistuar deri më tani. Referuar udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare, do të krijohet programi “WEB GIS” për të dhënat e tokës.

Në vendim thuhet se të dhënat që do të integrohen në programin e “WEB GIS” janë: a) harta e tipeve të tokës bujqësore; b) harta e përshtatshmërisë së tokës bujqësore; c) të dhënat e tokës në nivel parcele; d) harta e përdorimit/mbulesës së tokës; e) hartat e rrezikut potencial dhe aktual të erozionit; f) rrjeti rrugor; g) ndërtimet; h) rrjeti ujitës dhe kullues.

Ky udhëzim është në kuadër të  krijimit të informacionit mbi tokën bujqësore, me qëllim manaxhimin e qendrueshëm të saj, që i hap rrugë zgjidhjes së problematikës me titujt e pronësisë dhe më pronën në tërësi. Vendi ynë ka një sërë problematikash të pazgjidhura ndër vite sa i takon çështjes së pronësisë, për shkak të parcelizimit, mosndarjes së saktë të tokave dhe mungesës së dokumetacionit , çka ka sjellë dhe konflikte të herëpashershme, si dhe nuk u ka dhënë mundësi individët t’i shesin apo tjetërsojnë ato.