Koronavirusi i ri mund të mos largohet kurrë dhe popullatat në mbarë botën do të duhet të mësojnë të jetojnë me të, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetit të Mërkurën.
Ndërsa disa vende të botës fillojnë gradualisht të lehtësojnë kufizimet e vendosura në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri, OBSH tha që ky virus nuk mund të fshihet kurrë plotësisht.
“Ne kemi një virus të ri që hyn në popullatën njerëzore për herë të parë dhe për këtë arsye është shumë e vështirë të parashikohet se kur do të mund ta ‘mundim’ atë,” tha Michael Ryan, drejtori i emergjencave të OBSH-së.
“Ky virus mund të bëhet vetëm një virus tjetër endemik në komunitetet tona dhe ky virus nuk mund të shuhet kurrë,” tha ai në një konference virtuale për shtyp në Gjenevë. “HIV nuk ka ikur – por ne jemi pajtuar me virusin”.
Më shumë se gjysma e njerëzimit është vendosur nën izolim dhe masa të rrepta kufizuese që nga fillimi i krizës së koronavirusit. Por OBSH paralajmëron se nuk ka asnjë mënyrë për të garantuar që lehtësimi i kufizimeve nuk do të shkaktojë një valë të dytë të infeksioneve.
“Shumë vende do të donin të dilnin nga masat e ndryshme të vendosura nga qeveritë,” tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Por rekomandimi ynë është që çdo vend duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm të vigjilencës edhe për disa kohë.