Reklame:

Bimet Medicinale/ Bashkia Kolonje marreveshje me RisiAlbania per te nxitur investimet

Bashkia e Kolonjës dhe RisiAlbania kane nënshkruar nje marrëveshje bashkëpunimi për të nxitur investimet në sektorin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike ne kete zone.

Investimet në kultivimin dhe përpunimin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike në Kolonjë kriojnë mundësinë e punësimit të të rinjve dhe nxitjen e zhvillimit të rajonit. Bashkia, me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), do të luaj një rol aktiv në tërheqjen e investimeve.

RisiAlbania dhe Bashkia e Kolonjës, e përfaqësuar nga Kryetari Erion Isai, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të nxitur kultivimin organik dhe përpunimin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike (BMA) në rajon. Ky bashkëpunim do të sjellë mundësi të reja për fermerët lokalë, duke tërhequr investime dhe krijimin e mundësive të punësimit për të rinjtë e zonës.

Kolonja ka një traditë të gjatë në mbledhjen dhe tregëtimin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike, për shumë familje mbledhja e bimëve të egra është e ardhura kryesore. Megjithatë për shkak të mbishfrytëzimit, bimët në gjëndje të egër po bëhen gjithnjë e më të rralla, gjë e cila nuk është vetem nje dëm ekologjik por krijon vështirësi ekonomike për shume familje. Të rinjtë e zonës nuk e shikojnë si një sektor tërheqës për punësimin e tyre- gjë e cila do të thotë që në pak vite kohe, një formë tradite e të jetuarit mund të humbasë.

Për të adresuar për sa më sipër, Bashkia Kolonjë është duke marrë hapa konkretë për zhvillimin e sektorit të BMA-ve, për mbrojtjen e burimeve natyrale, dhe shndërrimin e ketij sektori në një punedhënës terheqës për të rinjtë. Kultivimi organik i BMA-ve nuk është i përhapur në Kolonjë, edhe pse do të ofronte një zgjidhje të qëndrueshme për këto probleme.

Bashkia, e mbështetur nga Këshilli Bashkiak i Kolonjës, synon të stimulojë investimet në kultivimin e BMA-ve në këtë rajon.

‘Mirëqënia e fermerëve është prioriteti ynë dhe pandemia e COVID-19 na tregoi se ne si qënie njerëzore duhet të fokusohemi më shumë te mjedisi, toka dhe bujqësia. Unë nuk shoh mënyrë më të mirë për t’iu përgjigjur krizes sesa duke nisur këtë bashkëpunim’- u shpreh Kryetari i Bashkisë, Erion Isai.

Stephan Joss, Drejtor i Projektit RisiAlbania dhe Koordinator Kombëtar i Helvetas në Shqipëri shtoi se ‘Kushtet agroekologjike të Kolonjës janë të përshtatshme për kultivimin organic të BMA-ve. Kjo nënkupton se Kolonja ka potencial për të tërhequr blerësit. Banorët e zonës kanë një shpirt sipërmarrës dhe Bashkia po krijon një mjedis mundësues. Këta katër faktorë na bëjnë të jëmi të sigurt se bashkëpunimi ynë do të jetë i sukseshëm. Për ne është kënaqësi që bashkëpunojmë me Bashkinë e Kolonjës përmes projekteve RisiAlbania dhe Bashki të Forta’.

Eksportuesit kanë filluar të tregojnë interes për të investuar në këtë zonë. Agro-Map Consulting është eksportuesi i parë që sapo ka lidhur kontratat me fermerët dhe kultivimet kanë filluar pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga COVID-19.

RisiAlbania është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Helvetas dhe Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.