Reklame:

Skemat Kombetare/ Brenda Majit nisin aplikimet, Do te financohen rreth 4 mije fermere

Javën e fundit të muajit Maj pritet të hapen aplikimet e fermerëve për financime në bujqësi për vitin 2020. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, bëjnë me dije se tashmë do t’i hapet drita jeshile shpërndarjes së fondit, pas frenimit që u bë në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.  Aplikimet nga fermerët do të bëhen online përmes portalit e-albania me zero dokumenta.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 744 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë. Në muajin Shkurt  qeveria përcaktoi kriteret, kategoritë përfituese dhe masën e financimit në bujqësi. Sipas vendimit,  fondi do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës; b) shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike; c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike; ç) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Konkretisht do të mbështeten fermat me të imta me jo më pak se 70 krerë, në rreth 1200 lekë për krerë dhe për gjedhët 10 mijë lekë për krerë, si dhe do të mbështetet bletaria me 1 mijë lekë për zgjua për ferma jo më pak se 50 zgjoje. Për bimët aromatike financimi fillon nga 200 mijë lekë për hektarë për individë dhe grup fermerësh dhe deri në 4 milionë lekë për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Për fermat organike mbështetja do të jetë nga 100-200 mijë lekë, ndërsa për rikonstruksionin e ambienteve për turizëm rural, me 6-10 dhoma, financimi arrin deri në 5 milionë lekë për subjekt. Ndërkohë 12 milionë lekë nga ky fond do të përdoren për pagesat e pa likuiduara për projektet fituese të vitit që lam pas si dhe interesat e kontratave.