Reklame:

Izolimi, forma me e keqe per te kaluar situaten!

Sot në Botë flitet shumë për modelin e lirë suedez të luftës kundër coronavirusit, pa masa shtërnguse, pa izolim të detyruar, por falë mirëkuptimit qytetar- qeveri. Dielli bisedoi me gazetarin e njohur Arben VATA, i cili prej 5 vitesh jeton në Suedi së bashku me familjen. Sipas Vatës, nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet suedeze dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetarë…
Suedia ka si arkitekt të mbrojtjes së lirë të qytetarëve nga COVID-19, Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë, qytetarët, që në fillim e kanë krijuar bindjen se : Pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint,siç shprehet zv/Kryeministrja Suedeze Isabella Lovin.
Po si po funksionon kjo betejë pa masa shtërnguse e pa izolim e mbyllje totale ? Ndiqeni intervistën e plotë që gazetari Arben VATA i dha Kryeredaktorit të DIELLI-t, Dalip Greca.
Dielli- Si ndjeheni Ju dhe familja në këtë kohë kor virusi është ende nëpër këmbë? A punoni Ju dhe familja në kushtet e Pandemisë…Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Arben VATA:- Përshëndetje i nderuar Dalip! Fillimisht iu falenderoj shumë për mundësinë e kësaj interviste në gazetën Dielli, e cila përfaqëson një vlerë sa historike aq edhe profesionale për shqiptarët kudo në botë.
Familja ime dhe unë nuk kemi asnjë problem me shëndetin sa i takon virusit Corona. Ne punojmë dhe kryejmë aktivitetet e tjera të zakonshme ditore edhe në këto javë e muaj pandemie botërore. Bashkëshortja ime, Elsa, punon si mësuese e legjitimuar për klasat e 4-6, ndërsa unë si mësues i gjuhës shqipe si dhe gazetar freelance në mediat suedeze dhe ato shqiptare. Fëmijët janë në shkollë. Për shkak të kufizimeve djali, Algersi që është nxënës në vitin e 3-të në gjimnaz, bën mësim on line (në distancë)nga shtëpia. Kurse vajza Albuena, është në klasën e 9-të dhe vazhdon mësimin rregullisht në ambientet e shkollës.
Pjesa tjetër e ditës, përveç punës dhe shkollës, është ajo e zakonshme; punë dhe angazhime shtëpiake, blerjet e zakonshme në njësitë tregtare, kohë e lirë me familjen, vizita tek miqtë e të njohurit, lexim librash, TV, sidomos lajme. Jo vetëm për shkak të profesionit, por edhe për shkak të situatës aktuale botërore, ndjek me shumë vëmendje edicionet informative dhe emisione të ndryshme që lidhen me ecurine e zhvillimeve lidhur me Covid-19. Shpeshherë kam qenë i ftuar nga mediat shqiptare për të komentuar për atë sesi po e përballon Suedia këtë situatë, ndaj edhe vëmendja në këtë rast është disi më e shtuar. Ka edhe disa grupe facebook ndër shqiptarë, në të cilat publikoj informacione dhe opinione rreth virusit, ndaj është e domosdoshme që të jem i mirëinformuar për çdo gjë dhe në kohë reale.
Kjo është një ditë e zakonshme, e cila në fakt nuk është krejt e zakonshme edhe pse ne kryejmë gjërat rutinë. Po kalojmë një moment të vështirë social, i cili lë gjurmë në jetën dhe aktivitetin tonë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

DIELLI-Vazhdon e flitet ende edhe këtu në SHBA për “modelin Suedez” të përballimit të betejës me koronavirusin me “dyer të hapura”, pa imponuar izolim total, ndërkohë që e gjithë Europa u përball me masa të forta shtërnguse. Për lexuesin e Diellit a mund te kemi me shume informacion: Si funksionoi kjo strategji që ka për arkitekt Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë?

Arben VATA: Që në krye të herës dua të them që unë nuk kam qenë dakord me këtë strategji në ditët apo dy javët e para. Kam mbajtur edhe qëndrim për
këtë, duke kritikuar autoritetet (në fakt siç ju e dini, është në natyrën e gazetarit dhe timen gjithashtu që të mos jesh dakord me gjithçka që propozohet sidomos nga qeveria nëse nuk kemi prova për të kundërtën). Kur TV sillte përnatë pamje e shifra nga Italia, Spanja, Franca etj, me nga 700-800 të vdekur përnatë nga virusi e këtu në Suedi thuajse nuk kishte fare kufizime, sigurisht që ishte për të vënë duart në kokë. Psh, ishte një rast kur pasi kishte plasur pandemia, autoriteti i shëndetit publik lejoi zhvillimin e një festivali të këngës ku u mblodhën 10 mijë persona… kjo ishte gati si një vetëvrasje.
Çfarë ka ndodhur dhe si ka funksionuar?
Qeveria dhe autoritetet e tjera nuk mundën dot që të ndalonin përhapjen masive të virusit në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Kjo ishte një paaftësi e madhe. Punonjësit në këto qendra nuk kishin mjetet e duhura mbrojtëse dhe ishin ata që e përhapën virusin në këto qendra, duke i kthyer në “varreza masive” për qindra e mijëra të moshuar. Sipas statistikave, më shumë se 80 % e të vdekurve nga virusi i takojnë kësaj kategorie. Ky pra ishte një dështim spektakolar.
Ajo që funksionoi në këtë formulë suedeze, ishte fakti që spitalet nuk u tejmbushën si dhe puna dhe aktiviteti ekonomik nuk u pezullua tërësisht siç ndodhi në vendet e tjera të botës. Kjo mesa duket ishte arsyeja që edhe unë, por edhe shumica dërmuese e qytetarëve këtu në Suedi, e pëlqyem strategjinë Tegnell dhe e mbështetën atë. Fakti që sipas shkencëtarëve shumica e popullsisë do të preket nga virusi, të bën të besosh se zgjidhja nuk është mbyllja dhe izolimi, por vazhdimi i kujdesshëm i aktivitetit jetësor dhe atij ekonomik. Këtu konsiderohet se vrasësi më i madh do të jetë kriza ekonomike, pasi virusit nuk i shpëton dot. Në kushtet e izolimit, stresi i njerëzve do të ishte edhe më i madh dhe në radhët e popullsisë do të shtohej numri i vetëvrasjeve. Nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetar.

DIELLI-Si ka funksionuar strategjia e kombinimit të kufizimeve të pjesshme me kufizimet e detyrueshme, çfarë përfshijnë kufizimet e detyrueshme?

Arben VATA : Qeveria, e udhëzuar nga autoritetet vendosi gradualisht disa kufizime si : të shmangen grumbullimet me mbi 50 persona; të mos lejohen vizitat në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit; të mbyllen shkollat e mesme dhe ato të larta; të mos detyrohet askush të shkojë në punë për 14 ditë nëse ka shenja të virusit, ndërkohë që pagesa nuk ndërpritet; të mos qëndrojnë njerëzit në radha në distancë me më pak se 2 metër; të mos lejohen më shumë se 4 persona në një tavolinë në bare apo restorante etj. Këto janë kufizimet klasike, për të cilat Suedia është kthyer herëpasherë në çështje e debatueshme në shumë vende të botës.

DIELLI: -Në sytë tuaj si gazetar ju rezulton i sukseshëm modeli Suedez, ndërkohë që me 15 Maj raportoheshin 29 mijë e 207 të infektuar me COVID-19, me ritëm 24 orsh 625 të infektuar të rinj, me 3 mijë e 646 të vdekur në total, me trend ditor 117 të vdekur të rinj? Si ju duken këto shifra për një popullsi 10 milionshe, e krahasuar ne shtetet fqinj që ndryshe nga Suedia i kanë mbyllë kufijtë dhe kanë aplikuar masa shtërnguse?

Arben VATA: Shifrat për Suedinë, një vend me pak më shumë se 10 milionë banorë, janë të frikshme ose thënë ndryshe të larta krahasur me shumë vende të tjera, edhe ato skandinave. Por ka diçka këtu që ndoshta ia vlen të diskutohet. Suedia ka këto shifra pjesërisht si pasojë e dështimit me shtëpitë e të moshuarve, por edhe falë hapjes apo mosizolimit. Sipas statistikave, virusi ka prekur 30 % të qytetarëve në Stockholm ku jeton më shumë se 20 % e popullsisë dhe shpresohet se me praktikën e mosmbylljes, të arrihet “imuniteti i grupit” ose thënë ndryshe të ulet agresiviteti vrasës i virusit. Pyetja është se si do të paraqitet situata në vendet e tjera skandinave dhe në vende të tjera të botës, kur njerëzit të dalin nga izolimi? Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe…
Megjithate, nuk dihet akoma nëse modeli suedez është një eksperiment dështues apo fitues. Ajo që dihet është që, ashtu sikurse unë e kam quajtur “kryeministri i krizës” Anders Tegnell, do të jetë personi që të bëjë që me filozofinë e tij, Suedia të quhet ose “delja e bardhë” ose “delja e zezë” e historisë moderne të pandemisë 2020.

DIELLI: Më ka mbetë në mendje një shprehje e Zv/kryeministres Suedeze Isabella Lovin, e cila është shprehur për BBC: Për suedezët pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint, sa real ju duket ky përcaktim tash në muajin e tretë të Pandemisë botërore, ku maratona duket se është pa limit kohor?

Arben VATA: Në fakt ajo që ndodhë këtu është se politika ia ka lënë thuajse gjithçka në dorë ekspertëve, edhe suksesin, edhe dështimin e mundshëm. Por gjithçka mbetet për t’u parë, edhe pse nuk dihet se kur kjo do të mbarojë. Është vërtetë një maratonë me finish të fshehur… Ajo që dihet është që ne, mesa duket nuk dimë asgjë rreth kësaj pandemie. Vlen të theksohet se në përgjithësi politika ka qenë në unision rreth kësaj situate, ndërkohë që mjekët dhe grupime të tjera intelektuale e gazetarese kanë qenë disi të ndarë rreth masave që ka marrë qeveria në bashkërendim me ekspertët.

DIELLI: Kam lexuar në media se izolimi total nuk u eksperimentua në Suedi edhe për shkak të kufizimeve të kornizës ligjore,që i përjashton kufizimet që prekin liritë themelore- ndërkohë që kjo kornizë ekziston edhe në SHBA e Europë, por nuk u morën në konsideratë. Cfarë e dallon Suedinë prej të tjerave shtete në respektimin e të drejtave të qytetarëve?

Arben VATA: Suedia besoj se është një ndër vendet “kampion” të respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe Pandemia ishtë një rast për ta treguar këtë. Ka pasur kufizime ligjore, për largimin e të cilave është dashur shumë konsultime mes partive dhe ekspertëve. Më në fund, është vendosur që qeveria mund të hartojë një propozim, i cili për t’u kthyer në ligj duhet të kalojë patjetër në parlament brenda 24 orësh. Kufizimet e aplikuara deri tani nuk kanë prekur asnjë të drejtë themelore të njeriut, përkundrazi ka pasur siç thashë Kritika për të ashpërsuar kufizimet.

DIELLI: Si gazetar, çfarë ju ka bërë përshtypje këto kohë në lidhje me pandeminë, si në rang botëror, ashtu edhe në atë lokal?

Arben VATA: Në rang botëror, do të veçoja dy gjëra: Këmbënguljen e fillimit të OBSH për të mos mbajtur maska mbrojtëse si dhe neglizhencën e treguar nga kjo organizatë botërore ndaj përhapjes së pandemisë. Nëse iu kujtohet, në rekomandimet kryesore të fillimit, OBSH shkruante veç të tjerave “MOS mbani maska”. Nga ana tjetër, nuk e kuptoj se përse OBSH nuk u kërkoi qeverive në botë që të kenë kujdes të kontrollonin njerëzit apo mbyllnin kufijtë ndërsa virusi në Kinë e më pas në Itali po bënte kërdinë…
Sa i takon Suedisë apo vendeve të tjera, më ka bërë përshtypje ngathtësia për të vepruar shpejt, sidomos për parandalimin e përhapjes së virusit në radhët e personelit shëndetësor si dhe mossigurimin e pajisjeve të tilla në kohë. Këtu është e habitshme gjithashtu edhe mefshtësia e BE për të mbështetur vendet e prekura ashpër, si Italia etj. Pandemia nxori në pah shumë anë të errëta të BE, funksionimit të qeverive, respektimit të të drejtave të njeriut, etj.

DIELLI: Një pyetje për bashkatdhetarët tanë në Suedi: Cfarë informacioni keni- Si po e kalojnë Pandeminë, a ka viktima, të prekur…

Arben VATA: Shqiptarë të trojeve etnike në Suedi kapin nje shifër ndërmjet 70 000- 80 000. Sipas informacioneve që kam ka shumë të prekur, por jo numër të madh të vdekurish nga virusi Covid 19. Megjithatë, autoritetet i mbajnë sekret etnitë e të vdekurve si dhe të dhëna të tjera. Ajo që dihet me siguri është se ka pasur një numër të madh të vdekurish nga lagje ku jetojnë shumë të ardhur nga vendet e Afrikës, ku edhe për shkak të traditës dhe të pamundësisë, njerëzit jetojnë bashkë dhe në numër të madh në një sipërfaqe të caktuar banimi.

DIELLI: Le t’i largohemi Pandemisë: Për lexuesit e Diellit: Kush është Arben Shaqir Vata, familja e madhe nga vjen? Si po iu ecën emigrimi?

Arben VATA – Unë kam lindur në Kukës dhe jam fëmija i 5-të i familjes prej 6 fëmijësh të Shaqir e Zime Vatës, të ciëlt jetojnë me vëllezërit në Nju Jork. Emigrimi nuk është diçka që njerëzit e zgjedhin, por një zgjidhje e detyrueshme në rrethana të caktuara që nuk varen prej teje. Besoj se jemi integruar mirë, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë që dalëngadalë po gjejnë veten e tyre në shoqëritë e huaja, por si qytetarë të botës. Siç thashë, merrem me mësimdhënie si dhe gazetari dhe shpresoj që të studioj më tej për t’iu përshtatur tregut dhe zhvillimeve të reja.

DIELLI: Arben, si shkuat ju tek gazetaria? Cila ishte gazeta e parë ku filluat, në c’rrethana…

Arben VATA – Familja dhe unë kemi pas menduar se pas përfundimit të shkollës së mesme, të studioja për mjekësi. Në fakt, në verën e 1987, mua m’u miratua e drejta e studimit për mjekësi, por për shkak se regjimi i atëhershëm pikërisht në verën e atij viti arrestoi xhaxhain tim Halit Osman Vata për aktivitet politik kundër komunizmit, mua ma ndërprenë të drejtën e shkollës së lartë. Për dy vjet më dërguan në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më pas deri në ardhjen e demokracisë kam punuar në minierën e kromit në Kalimash, Kukës. Vetëm në tetor 1991, u mundësua një shkollë e lartë për gjuhë dhe letërsi, pasi për mjekësi as nuk bëhej fjalë sepse në drejtim ishte akoma PS, ish pasuesja e PPSH.
Gjuhë letërsia ishte dëgë e mire për mua, pasi siç thonin mësuesit në gjimnaz, unë bëja hartime të bukur.
Në vit të 3-të të shkollës së lartë, hyra në kontakt me gazetën Ora e Shqipërisë dhe pas një debutimi disa mujor aty, kam vazhduar punë rregullisht në gazetën Koha Jonë (mars 1995), gazeta më e madhe dhe me famë e kohës. Me stafin e gazetës Koha Jonë, më prezantoi kolegu Albert Nikolla, një student edhe ai që punonte në atë gazetë… Më pas kuptohet se nuk ishte e lehtë të hyje në pëlqimet e Nikollë Lesit e stafit të atërhshëm të Koha Jonë, por pas një periudhe prove 2 javë, mora karten e gazetarit të asaj gazete, një krenari në fakt e madhe për atë kohë.

DIELLI: Keni punuar në disa media, a mund t’i rendisni?

Arben VATA – Më pas, kam punuar në disa media të shkruara dhe vizive. Kam punuar në gazetën “Republika” si redaktor i faqes politike (gjej rastin t’iu falenderoj zoti Dalip që në rolin e drejtorit të gazetës keni qenë një ndihmë e madhe për ne gazetarët e rinj), në Gazetën Shqiptare. Më pas që nga viti 2001-2014, kam punuar si zv kryeredaktor dhe kryeredaktor në disa televizione si TVA, Top Channel, Klan, Vizion Plus. Gjatë këtyre viteve, kam qenë bashkëpunëtor i rregullt në rolin e opinionistit në gazeta të tilla si Panorama, Shqip, Shekulli, Koha Jonë, etj. Në vitin 2013, kam botuar librin tim “Kohë mashtrimesh” një përmbledhje e publicitikës mes viteve 2004-2013.

DIELLI: Kë do të veconit?

Ëshrë pyetje e vëshirë në fakt. Gazeta Koha Jonë ishte “dashuria” e parë por edhe ishte një shkollë e vërtetë profesionale për gazetarinë e re shqiptare. Ishim me të vërtetë idealist, ndërsa më vonë thuajse të gjithë ne të Koha Jonë e jo vetëm, u kthyem në materialist… Republika ishte një sfidë më vete pasi një organ mediatik partiak, funksiononte si media e pavarur (falë edhe ish kryetarit Sabri Godo) dhe arriti lexueshmëri shumë të lartë për kohën.
Ndërsa sa i takon mediave vizive, Top Channel, ishte eksperienca ime më e bukur për një periudhë gati 7 vjeçare. Dritan Hoxha krijoi çdo hapësirë e mundësi për gazetarët e drejtuesit e medias në atë kohë për ta bërë Topin me të vërtetë, më të shikuarin e të gjithë shqiptarëve. Nëse do të ketë edhe “dashuri të fundit”, Top Channel është.

DIELLI: Si do ta përshkruanit sot gjendjen e medias në Shqipëri dhe Liria e shtypit?

Arben VATA – Prej më shumë se 5 vitesh nuk jam aktiv në shtypin shqiptar dhe nuk besoj se kam një mendim të qartë për situatën atje. Por me aq sa lexoj e shikoj, media është degraduar edhe më shumë. Unë nuk besoj se është më shumë për faj të gazetarëve sesa të pronarëve dhe presionit që ushtron mbi ta qeveria. Gazetarët janë kthyer në punëtorë me mëditje që synojnë të sigurojnë bukën e gojës, duke i shërbyer pronarit e qeverisë dhe jo publikut. Me këtë kam parasysh jo gazetarët e thjeshtë, por shefat e tyre, ata që vendosin për politikat eduitoriale e cdo gjë tjetër. Është një situatë e turpshme për median dhe nuk jam i qartë se për sa kohë do ta marrë veten, pasi media është pasqyrë e shoqërisë.

DIELLI: Një mesazh për lexuesit e Dielli dhe miqtë tuaj këu në SHBA?

Arben VATA – Mesazhi im për lexuesit e nderuar të gazetës Dielli është që të jemi të qetë e të bashkuar me njëri tjetrin për të përballuar këtë pandemic globale. Është një gjendje e pa përjetuar më parë dhe si e tillë kërkon edhe angazhimin e të gjithëve. Të kalojmë sa më shumë kohë me familjen dhe me të dashurit tanë.
Të duam e ta ndihmojmë edhe më shumë njëri tjetrin në këto ditë të vështira. Të mos kemi dallime mes shqiptarësh Veri-Jug, këtej e andej kufirit.