Reklame:

Shqiperia drejt rritjes se turizmit europian te shpendeve – Mbi 150 mije specie te ndryshme ne 2020

Në 2016 kemi pasur më pak se 100 mijë specie të ndryshme, ndërsa sot në 2020 kemi mbi 150 mijë specie në të gjithë zonat e mbrojtura të Shqipërisë .

Kështu deklaroi sot drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej, në një intervistë për ATSH-në në Ditën Ndërkombëtare të Biodiveristetit.

“Ka një përmirësim të dukshëm, që lidhet edhe me gjuetinë edhe me qytetarët që kanë një qëndrim shumë më pozitiv, ku hyn roli që ka luajtur shoqëria civile, me aktivitet, promovimet dhe ndërgjegjësimi që vetë popullata po bën në raport me një sjellje ndaj kafshëve të egra, pyllit e gjithçka”, – tha Dedej për ATSH.

Për drejtorin e AKZM-së, Dedej moratoriumi i shpendëve ka ndikuar në rritjen e numrit të shpendëve në Shqipëri.

“Zhurma që krijohej nga gjuajtja e shpendëve nuk ishte e dëmshme vetëm për shpendët që vinin, por edhe shpendët që ishin afër tyre , kjo konsistoi në largimin e shpendëve më pjesën më të madhe të vendeve si në basenet ujore, lagunat etj. Në kemi kryer census, numërimin e shpendëve që agjencia jonë që kur është krijuar e ka bërë rregullisht kryesisht për shpendët dimërues për ata që vijnë dhe qëndrojnë në Shqipëri për të kaluar dimrin. Në 2016 kemi pasur më pak se 100 mijë individë, sot në 2020 kemi mbi 150 mijë individë të specieve të ndryshme, shpendë”, – nënvizoi ai.

Përveç kësaj, vijoi Dedej, ne bëjmë një monitorim të faunës së egër.

“Ky lloj monitorimi meqenëse ne nuk kemi të gjitha pajisjet dhe stafin e duhur  ka të bëjë me prezencën e kafshëve të egra në zonat tona. Për këtë ne vendosim kamera kurth dhe kemi protokolle të caktuara që monitorojmë gjurmët, rastet e vrasjeve me dashje apo pa dashje, rastet kur ato sulmojnë kafshët e buta, delet ose dhitë, etj. Natyrisht na del gjithmonë e më shumë një numër në rritje dhe na del gjithmonë e më shumë që prezenca e tyre po shikohet edhe me sy të lirë. Kemi filmime që janë bërë nga amatorë me telefon që ka pasur tufa me dhi të egër në malet e Shqipërisë. Kemi pasur mundësinë të shohim shumë arinj të pranishëm në zona që ne kishim frikë se nuk ishin më të pranishme. Kjo na bën të rishohim që fauna po rikthehet në vendin tonë”, – theksoi Dedej.

Ai shtoi se në vitin 2015 ne nuk shikonim të tilla shpendë dhe kafshë dhe sot është normale fare.

“Po të shikosh në lagunën e Divjakës megjithëse është verë shikon flamingo, pelikanë, një seri rosash që vijnë, po kthehet një qetësi dhe një mënyrë jetese normale e kafshëve, të cilat frekuentojnë këto lloj vendesh. Pjesa e tretë janë edhe kafshët shumë të rrezikuara që është rrëqebulli, të cilin e kemi evidentuar që është i pranishëm në Shqipëri dhe që e kemi fotografuar e filmuar në një moment që ai ishte më shumë se një individ”,- tha Dedej për ATSH.

Kreu i AKZM-së e vuri theksin edhe tek krijimi i qendrave të vizitorëve, ku ata marrin informacionin e parë për zonat e mbrojtura të vendit.

“Sot ne kemi 10 qendra vizitorësh në parqet kryesore të vendit si në Theth, Velipojë, Kune Vainë, Lezhë, Divjakë, Rradhimë për parkun detar, LLogora, Shebenik, po tentojmë të kemi një tjetër qendër vizitorësh edhe në Dajt. Ajo që po bëjmë ne po mundohemi t’i japim sa më shumë informacion turistëve”.

“Pjesa e dytë lidhet me markimin e shtigjeve, të cilat jemi përpjekur t’i fusim në GPS, si dhe vendet  fikse të  vrojtimit të natyrës ose të kundrimit të shpendëve. Shqipëria ende nuk ka hyrë në turizmin europian të shpendëve, por mendojmë që ka një numër në rritje të këtij turizmi”, tha Dedej për ATSH.

Lidhur me masat e marra për turizmin në zonat e mbrojtura Dedej tha se “ne vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësojmë kushtet , nuk pretendojmë se kemi arritur maksimumin jemi akoma në fillim. Jemi një agjenci e re dhe kjo na bën të kemi ende rezerva në arritjen e objektivave” .

“Jemi më mirë se ç’kemi qenë vjet në pritjen e turistëve, si psh kemi prezencë të rangersave në terren sepse shumë herë kemi pasur turistë që kanë humbur në shtigje, vitin e kaluar shpëtuam 4-5 raste. Qendrat e vizitorëve janë bërë shumë funksional dhe të pajisura  shtigjet që janë akoma dhe më shumë të markuar, prezenca e stafit tonë në muajt korrik dhe gusht. Kemi edhe aspektin e mbrojtjes nga zjarri, sepse luftojmë edhe me zjarret në mënyrë që të mos dëmtohen zonat tona të mbrojtura”, – tha Dedej. (ATSH)