Reklame:

Subvencionet ne bujqesi/ 85 % e fermave perjashtohen nga fondet, nuk kane NIPT

Ndërkohë që më 29 Maj do të hapen aplikimet për të përfituar nga fondet në sektorin bujqësor, 85 për qind e fermave janë të përjashtuara. Sipas të dhënave të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, në Shqipëri në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit operojnë mbi 350 mijë ferma. Aktualisht rreth 15 % janë të pajisura me një dokument identifikimi që quhet shkurt NIPT, të cilat kanë mundësi për të krijuar marrëdhënie formale me tregun, për të përfituar nga fondet në bujqësi, mbështetje nga politikat lehtësuese të qeverisë, si dhe me institucionet tatimore dhe që mund të konsiderohen të formalizuara. Pjesa e mbetur prej 85 % parë në këtë kontekst aktualisht konsiderohet e paformalizuar.

Duke qenë se procesi vullnetar i formalizimit të fermerëve nuk ka ecur në rrugën e duhur, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar i kërkon qeverisë që të marrë masa për të vënë në funksion kartën elektronike të fermerit, të ngrejë regjistrin elektronik të fermës dhe Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor si dhe të ngrejë qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Agrobiznesit.  Sipas KASH, karta elektronike do t’i shërbejë qeverisë për formalizmin e shpejtë dhe përfundimtar të fermerëve, fermave, subjekteve të agrobiznesit në zonat rurale.

Do të shërbejë në veçanti për një përmirësim rrënjësor të procesit të gjurmueshmërisë në fushën e zhvillimit të bujqësisë sociale dhe agrobiznesit. KASH ka llogaritur se kjo kartë ka një kosto të ulët për ta prodhuar rreth 1 euro, e mundur për t’u përdorur dhe e përballueshme për t’u blerë e përdorur nga çdo fermer.