Reklame:

IPARD II/ 130 aplikime per projekte ne agroturizem me vlere rreth 25 milione euro

Agroturizmi po njeh një dimension të ri zhvillimi vitet e fundit në vendin tonë.

Strategjia e qartë e qeverisë për transformimin bashkëkohor të këtij sektori, mbështetur në resurset dhe potencialet që ka vendi ynë, krahas financimit të fermerëve me grante dhe subvencione, ka sjellë rritjen e numrit të bujtinave, resorteve agroturistike, zhvillim të kulinarisë dhe të zinxhirit të bujqësisë, në të gjithë vendin.

Fermerët sot po shtojnë interesin për të investuar në agroturizëm.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, në thirrjen e dytë të programit IPARD II, kanë ardhur aplikime nga fermerët, për 130 projekte në agroturizëm që kapin vlerën totale të investimit në rreth 25 milionë euro.

Programi IPARD II, në Masën e 7 të saj, mbështet investimet në diversifikimin e ekonomisë në fshat, konkretisht në sektorin e agroturizmit, turizmit rural, prodhimin e produkteve tradicionale etj, duke financuar 65% të vlerës për investime nga 10 000 euro  deri në 400 000 euro.

Sipas AZHBR-së, në thirrjen e parë të programit IPARD II për Masën 7, fermerët aplikuan me 64 aplikime me totale investimi në rreth 9.3 milionë euro.

IPARD II me një fond prej 94 milionë euro, financuar nga BE dhe qeveria shqiptare, është mbështetja më e madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi dhe zonat rurale, kanë pasur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit.