Kompania Voltalia, me kapital 100% francez është shpallur fituese e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë me një fuqi të instaluar prej 140 MW, teksa çmimi i ofertuar për blerjen e energjisë është 24.89 euro/MW. Ky është çmimi m e të cilin shteti shqiptar garanton blerjen e energjisë elektrike për një periudhë 15-vjeçare për 70 MW, ndërkohë që 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen nga kompania në treg të lirë. Gjatë hapjes së ofertave ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e konsideroi një çmim rekord për parqet energjetike, jo vetëm në rajon, por edhe në botë.
Investimi i kompanisë do të jetë mbi 100 milion euro, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës do të jetë 30-vjeçare.
Gara për ndërtimin e impiantit fotovoltaik të Karavastasë u hap në janar të këtij viti, ndërkohë që ajo u shty 2 herë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Ndërkaq, ishin 5 kompanitë për të cilat u vlerësuan ofertat, por 4 prej tyre nuk arritën të kalonin fazën e kushteve teknike.