Nga një qershori një sërë aktivitetesh do t’i kthehen normalitetit në vend. Kështu nën masa strikte të sigurisë do të lejohen të hapen nga çerdhet e kopshtet, deri te palestrat, plazhet e qendrat arsimore e kampionatet sportive pa publik.
Ndërsa për transportin publik po punohet për një strategji të sigurt, e cila do të jetë shumë shpejt gati. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se dasmat, kinematë, konferencat, pishinat dhe një sërë aktivitetesh të tjera nuk do të lejohen të hapen deri në 23 qershor, ku do të ketë një vlerësim të dytë të situatës.
“Sipas vendimit të komitetit teknik është vendosur që ne të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes për datën 1 qershor Nga data 1 qershor do të lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin e vendit pa asnjë kufizim, do të hapen çerdhet e kopshtet, do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor. Masa e vendosjes së karantinës dy javore do të mbetet në fuqi në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore.
Nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura nën masa sigurie, sipas një plani i cili përfshin të gjithë vijën bregdetare si një zonë e sigurt. Në plazhe sipas zonave të miratuara do të jenë të përcaktuara edhe autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm, i cili do të administrojë gjithashtu edhe lejet për cdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe.
Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.
Mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve që do të bëhet publik së shpejti.
Deri në një urdhër të dytë, të cilat do të vlerësohen në datën 23 qershor, dita e fundit e përcaktuar e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ndalohen aktivitetet kulturore, si kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet massive, dasmat, konferencat, dëgjesat publike, tubimet e çdo lloji”.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se në fundjavë do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset, por edhe këtë fundjavë nuk do të lejohet lëvizja e rezidentëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen.