Banorët e fshatrave Beragozhd dhe Stropckë në njësinë administrative të Dardhasit në Pogradec, në shumicën e tyre janë bletërritës dhe sigurojnë të ardhurat e tyre me shitjen e mjaltit.
Por, vitet e fundit, kjo mundësi po u rrezikohet seriozisht nga migrimi i bletëve nga zonat e ngrohta. Sipas banorëve të këtyre zonave, bletërritësit që vijnë kryesisht nga zona e Elbasanit lëshojnë bletët e tyre në kullotat me gështenja të Beragozhdës dhe Stropckës, duke i dëmtuar banorët vendas si në uljen e sasisë së mjaltit, ashtu edhe në humbjen e bletëve, pasi bletët që vijnë nga zonat e ngrohta janë më të shumta në numër dhe më të fuqishme.
Kjo problematikë ka bërë që këta banorë të mos arrijnë të përfitojnë as subvencionet nga ana e shtetit. Dhe për këtë arsye kanë kërkuar edhe ndihmën e pushtetit lokal.
Në dy fshatrat e njësisë Dardhas janë 50 familje që mbarështojnë bletët dhe jetojnë me të ardhurat që nxjerrin prej tyre. (A2)