Reklame:

Bujqesia/ Fermeret me NIPT shtohen me 8.6 % ne 2019

Fermerët të cilët shesin produktet e tyre po regjistrohen në zyrat rajonale tatimore duke u pajisur me Numër identifikimi të Personit të Tatueshëm, (NIPT). Në këtë moment fermerët zotërojnë personalitet juridik, e si të tillë janë objekt i regjistrit statistikor të ndërmarrjeve që INSTAT mirëmban dhe përditëson. Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2019 është 44.473 nga 40.953 fermerë në fund të vitit 2018.

Ndonëse numri i tyre po vjen në rritje vit pas viti, i nxitur dhe nga skemat e financimit në bujqësi, aktiviteti i fermerëve nuk ndjek të njëjtin tendencë.

Më herët, Banka e Shqipërisë në një anketim me ndërmarrjet bujqësore raportoi se 40% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se shitjet e tyre kanë rënë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, ndërsa 43% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se shitjet e tyre nuk kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe.

Për të evidentuar problematikën kryesore në aktivitetin e tyre për gjashtëmujorin për të cilin është kryer vrojtimi, subjekteve bujqësore iu kërkua të klasifikojnë vështirësitë që ato kanë hasur lidhur me disa tipare që janë: aksesi në financim, kostoja e financimit, disponueshmëria e stafit të kualifikuar, kostoja e prodhimit ose e punës, konkurrenca, gjetja e tregut, përshtatshmëria e legjislacionit në fuqi apo të tjera veç këtyre.

Subjektet vlerësuan me notat nga një (shkalla më e ulët e vështirësisë) deri në dhjetë (shkalla më e lartë e vështirësisë) problemet e sipërpërmendura. Ndërmarrjet bujqësore evidentojnë se faktorë të tjerë, gjetja e tregut, konkurrenca dhe kostoja e financimit janë ndër problemet kryesore me të cilat ato janë përballur kryesisht gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Rezultatet e vrojtimit të paraqitura në grafik tregojnë që aksesi dhe kostoja e financimit janë gjithashtu një pengesë e rëndësishme e vlerësuar nga ana e tyre.