Enti Rregullator i Energjisë ka përcaktuar tarifat që do të aplikojë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për lidhjet e impianteve fotovoltaikë në rrjetin e shpërndarjes nga ana e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve. Përcaktimi i këtyre tarifave është domosdoshmëri pas udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që i hap rrugën vetëprodhimit të energjisë nga dielli, duke siguruar në këtë mënyrë pavarësi energjetike.
Referuar vendimit të ERE-s, familjes dhe bizneset që duan të instalojnë panele diellore do të duhet të paguajnë 2 tarifa e më konkretisht: tarifën e studimit dhe vlerësimit të miratimit të projektimit dhe tarifën e shërbimeve për realizimin e lidhjes së re dhe kolaudimit fillestar të matësit. Për tarifën e parë, klientët familjarë do të paguajnë 1000 lekë, klientët jofamiljarë në tension të ulët, 5000 lekë, ndërsa klientët e lidhur në tension të mesëm 6/10/20/35 kV tarifa është 23 000 lekë.
Sa i takon pagesës për lidhjen fillestare të matësit, ajo do të jetë në masën e 2500 lekëve dhe përfshin tarifën e për azhornimin e rrjetit dhe shpenzimet administrative. Tarifa e distancës dhe fuqisë do të jetë 0 lekë. Për tensionin e ulët vetë OSHEE propozoi një kosto totale prej 10 288 lekësh, ndërsa për tensionine mesëm 6,10, 20 dhe 35 kv 28 288 lekë. Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 kwp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit.
Për këto impiante do të lejohet lidhja me rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së prodhuar dha asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i “shitet” furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë.