Reklame:

“Dosja” e sigurise ushqimore qe e mban Shqiperine larg BE-se

Pas afro tri dekadash demokraci dhe ëndërr shqiptare për t’u bërë pjesë e Europës, më 24 mars 2020, Komisioni Europian ka dhënë rekomandimin e tij pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kolegji miratoi paketën e zgjerimit për 7 vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, rrugëtimi i Shqipërisë drejt familjes europiane është i gjatë, ka qënë shumë i vështirë dhe plot pengesa.

Në prillin e vitit 2005, në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Ripranimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe një vit më vonë, në shtator të 2006-ës, Parlamenti Europian votoi rezolutën për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, e cila i hapi rrugë ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, e hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Në vitin 2006, u krijua edhe një instrument i ri për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument i vetëm financiar thjeshtëzon dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Që prej 1 janar-it 2007, Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para-Anëtarësimit, që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për të ardhur te 24 marsi 2020, Shqipërisë iu vendosën shumë kushte nga Bashkimi Europian dhe një “mal” me dokumentacion që duhej plotësuar. Bëhej fjalë për kapitujt që duhet të plotësonte Shqipëria, pjesa kryesore e të cilëve ishin përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Mes tyre ishte dhe Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare”. Ky mendohet se është dhe kapitulli që në raport me anëtarësimin në BE, do të realizohet i fundit, për arsye të vështirësive që paraqet. Vështirësi jo vetëm në raport me përafrimin e legjislacionit, i cili thuajse është drejt fundit, por kryesisht për shkak të vështirësisë së zbatimit të tij dhe akteve nënligjore. Siguria ushqimore në Shqipëri vazhdon të mbetet një sfidë, për të cilën ka shumë për t’u bërë.

Edhe Raporti i Komisionit Europian, i publikuar në vitin 2019, për vitin 2018 (i 2020-ës ende nuk është publikuar), e paraqet situatën e sigurisë ushqimore në vendin tonë, larg objektivave.

“Për sigurinë e përgjithshme të ushqimit, për të tretin vit radhazi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka operuar jashtë kontrolleve zyrtare, sipas një plani mbi bazë risku, të aprovuar në fillim të 2017-ës. Standardi, procedurat operative të nevojshme për të siguruar përputhjen me legjislacionin, nuk kanë qenë ende të miratuara, përfshirë ato të auditimeve të brendshme. Nuk është arritur asnjë përparim në vlerësimin e riskut”, thuhet ndër të tjera në raport, sipas të cilit, “personeli i kontrollit nuk është i trajnuar në mënyrë adekuate për vlerësimin dhe zbatimin e tij”.

Këtë vlerësim e ilustron më së miri edhe fakti që produktet shqiptare me origjinë shtazore nuk lejohet të eksportohen jashtë kufinjve të Shqipërisë. Kjo, pasi thuajse i gjithë zinxhiri, veçanërisht i kontrollit të kafshëve është jashtë funksionit. Por, edhe produktet të tjera, si frutat apo perimet, në shumë raste rezultojnë me ngarkesa pesticidësh.

Ndërsa pritshmëria e KE për vitin 2019 duket se ishte e madhe. “Mirëmbajtja e programeve të vaksinimit deri në çrrënjosjen e tërbimit; zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore përmes kontrolleve të përmirësuara zyrtare, përfshirë kushtet e importit”, ishin disa nga detyrat apo rekomandimet e lëna.

Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bënë të ditur se Shqipërisë iu dorëzuan 192 faqe me tituj, bazë ligjore, akte, rregullore etj, në lidhje me kapitujt që kanë lidhje me sigurinë ushqimore, veterinarinë, fitosanitaret, peshkimin , etj., ndërkohë që një pjesë e vogël e tyre nuk janë të detyrueshme për Shqipërinë.

Këto janë vetëm një pjesë nga Kapitulli i 12-të, i cili kur iu kërkua Shqipërisë ta realizonte ka qenë tërësisht i panjohur për publikun. Megjithatë, publiku sot ka informacione për çfarë kërkon Kapitulli XII ndërkohë janë shtuar treguesit që dëshmojnë se publiku nuk është i sigurt për ushqimin që konsumon.

Por, si rrodhën ngjarjet dhe çfarë nënkuptohet me Kapitullin XII?

Me atë që quhet “Libri i Bardhë”, kuptohet legjislacioni i BE. Në vitin 2002, doli Rregullorja për Ushqimin, që u quajt “Ligji Europian i Ushqimit”. Ky ligj bëri që përgjegjësia për garantimin e sigurisë ushqimore t’ju kalonte Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU), ndërsa shteti, institucionet shtetërore ishin garanci për kontrollin e zbatimit të praktikave të sigurisë ushqimore nga OBU-të dhe monitorimin sistematik të tyre.

Me rregulloren 178/2002 u krijua dhe EFSA, Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore, një institucion i dedikuar studimeve, shkencës së ushqimit dhe vlerësimit e komunikimit të riskut. Menjëherë më pas u hartuan edhe një sërë aktesh nënligjore, që u quajtën Paketa Higjenike, e që ishin përcaktuese për standardet e sigurisë ushqimore.

Një hap mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë ishte krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, një institucion që do të garantonte sigurinë ushqimore dhe zbatimin e politikave të sigurisë. Në atë kohë, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, autoritetet ishin të paqarta se si do ta quanin, Autoritet apo Agjenci, gjithësesi, i rëndësishëm ishte fakti që ky institucion u ngrit. Vetë Bashkimi Europian, nëpërmjet instrumentit IPA, ka financuar rreth 5.5 milionë euro për fuqizimin e këtij institucioni, si në asete infrastrukturore, godina etj., ashtu edhe në laboratorë apo dhe trajnime.

Sot ka afërsisht 400 akte të përafruara, që ndikojnë direkt në rregulloret e import-eksportit të produkteve ushqimore, prodhimit e përpunimit dhe deri te tregtimi. Të gjitha janë përshtatur me legjislacionin e BE, me përjashtimin e atyre për OMGJ, bëhet e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Madje, në vitin 2018, sipas të njëjtave burime, pati nota pozitive nga BE për përafrimin.

Siguria Ushqimore, sa larg Europës?

Megjithë punën e bërë, Kapitulli XII mund të jetë i fundit që do të plotësohet nga Shqipëria, krahasuar me tjerët. Kjo për shkak të vështirësive në zbatimin e atyre çfarë kërkohen.

Një nga problematikat që has sot Shqipëria është çështja e luftimit në zoonozave. Bëhet fjalë për sëmundjet zoonotike, që transmetohen nga kafsha te njeriu.

Megjithëse në këto kohë po bëhen ndryshimet në “Ligjin Për Shërbimin Veterinar”, reforma në këtë shërbim nuk është e kompletuar.

Për luftimin e zoonozave, në 2016, masat profilaktike iu kaluan Klinikave Veterinare, të cilat ishin të pafuqishme për menazhimin e gjithë territorit. Megjithëse një vit më pas u rrit numri i tyre, në vitin 2017 shërbimi ishte i pafuqishëm që të përmbushte nevojat për të gjithë numrin e krerëve të bagëtive në vend, ndërkohë që nuk funskiononte i gjithë zinxhiri. Madje, burimet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thanë se, në raste profilaktike, për të cilat do të zhvilloheshin tendera, pjesëmarrja e këtyre klinikave ishte vullnetare. Kjo do të thotë që shumë prej tyre, nëse nuk dëshironin të merrnin pjesë, nuk ishin të detyruara me ligj. Kësisoj, shërbimi veterinar apo në veçanti luftimi i zoonozave do të ishte i pamundur. Megjithatë, Ministria nisi përpjekjet për përmirësimin e shërbimit shtetëror veterinar, i cili ishte thuajse i dërrmuar. 174 mjekë veteriner u punësuan me kontrata, ndërkohë që numri pritet të shkojë në 400, veçanërisht me ndryshimet e Ligjit për Shërbimin Veterinar.

Ndërkohë, për Ministrinë e Bujqësisë lind një problem që në fillimin e negociatave. Për shkak të kushteve dhe kritereve, në vendin tonë do të ulej numri i fermave, pasi disa do të mbylleshin për shkak të mosplotësimit të standareve, gjë që do të shkaktonte dhe ulje të numrit të kafshëve. Për të mos ndodhur kjo, Ministria e Bujqësisë vendosi që t’i kthente fuqinë sërish Shërbimit Veterinar Shtetëror, që të kishte mjekë veteriner në të gjitha zonat e kështu të kontrolloheshin më mirë edhe fermat e vogla, me pak krerë dhe të detyroheshin të zbatonin standardet.

Megjithatë, “thembra e Akilit” në zinxhirin e sigurisë ushqimore sot mbetet pikërisht situata e kafshëve të gjalla, duke shkaktuar si pasojë edhe pasiguri në produktet fundore.

Me qindra mijëra kafshë në të gjithë vendin, sot, janë të pamatrikuluara dhe pa certifikata veterinare, gjë që përbën hallkën e parë të zinxhirit të sigurisë ushqimore. Ndërkohë, në Shqipëri eksiztojnë 30 tregje kafshësh të gjalla, që nuk plotësojnë asnjë standard. Në to hyjnë e dalin kafshë që nuk kanë certifikata veterinare, ndërkohë që ende mungon Sistemi i Regjistrimit të Kafshëve të Gjalla. Këto dy fakte përbëjnë rrezikun më të madh për përhapjen e sëmundjeve të kafshëve nga ferma në fermë, përfshirë këtu edhe ato zoonotike, të cilat rrezikojnë njerëzit. Mjekët veterinerë në këto tregje, në shumicën e rasteve, mungojnë, por edhe kur ndodhen, nuk marrin asnjë masë për moslejimin e futjes së kafshëve që nuk kanë matrikuj në këto tregje. Nga ana tjetër vetë tregjet nuk plotësojnë standardet e higjienës. Mjetet e transportit nuk janë aspak të përshtatshme dhe të gjitha këto kanë bërë që, produktet me origjinë shtazore të mos jenë gjithmonë të sigurta. Ndërkaq, eksporti i tyre jashtë territorit të Shqipërisë mbetet ende vetëm një ëndërr.

Disa nga kërkesat tjera të Kapitullit XII, mangësitë e paplotësuara, të kërkuara nga BE, janë edhe: përmirësimi i kontrolleve zyrtare në tërësi, si dhe i produkteve të importit në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar); përputhja e procedurave standarde të operimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me legjislacionin, progres në vlerësimin, komunikimin dhe manaxhimin e riskut, trajnimi i stafit për HACCP (Praktikat e mira të higjienës), avancimi me ligje dhe akte nënligjore për ushqimin për kafshë, raportimi i saktë dhe i numrit real të numrit të bagëtive që shkojnë në thertore, si dhe planifikimi e monitorimi rigoroz për mbetjen e pesticideve.

Një nga problematikat më të mëdha mbetet trajnimi i stafeve dhe ngritja e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Madje, kjo situatë është përkeqësuar, kur në muaji në shkurt 2020 u ndryshua Ligji “Për Ushqimin”. Një ndër ndryshimet e bëra ishte për rekrutimin e mbajtjen në punë të stafeve, përfshirë dhe inspektorët, që kaloi nga Shërbimi Civil në atë me Kod Pune. Kjo ka krijuar një pasiguri të madh tek punonjësit, të cilët menjëherë dolën nga Shërbimi Civil dhe secili prej tyre, pavarësisht karrierës, eksperiencës në punë apo nivelit të formimit arsimor, është në periudhë prove 3-mujore. Më pas, të gjithë do të kalojë në testim, rezultatet e të cilit nuk varen gjithmonë nga përgjigjet, gjë që ka shkaktuar një pasiguri mjaft të madhe tek ata.

Shqipëria është ende i vetmi vend në Europë që nuk ka një ligj të veçantë “Për Ushqimin për Kafshë”, por për këtë është folur vetëm në Ligjin “Për Ushqimin”. Ushqimi për kafshë, standardet e tij dhe kontrolli, janë po kaq të rëndësishme për sigurinë ushqimore, pasi reflektohet menjëherë në produktin fundor, atë që shkon te konsumatori.

Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe duket se Kapitulli XII do të jetë i fundit që do të realizohet. Këtë e pranojnë dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Një punë mjaft të madhe, por edhe sistematike, kërkon identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha kafshëve, nga fermat më të mëdha e deri tek ato që mban çdo familje. Ndërkohë, Ligji “Për Ushqimin” dhe ai “Për Shërbimin Veterinar” do të bëhen nga e para, ndërsa lind nevoja urgjente, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për një zinxhir vertikal kontrolli kompetencash.

Tjetërsimi dhe përshtatja e legjislacionit është një nga çështjet më të rëndësishme, ndërsa sfidë më vete është zbatimi i tij, që kërkon dhe investime të mëdha. Në negociatat me Bashkimin Europian, pjesa më e vështirë e tyre do të jetë respektimi i standardit të BE-së për prodhimet shqiptare. Veçanërisht ato me origjinë shtazore, të cilat duket se shumë vonë do ta shohin dritën jeshile të eksporteve, për pasojë të një sërë problemesh, që u përmendën më lartë.

Një provë komplekse mbetet dhe ajo e konsumatorit shqiptar, ndërgjegjësimi i të cilit për sigurinë ushqimore gjendet në nivele shumë të ulëta. Edukimi i tij për sigurinë ushqimore do të dojë një kohë të gjatë, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, deri tani nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Në këto kushte, Shqipërisë do t’i duhet ende dhe shumë punë. Kapitulli XII, “Siguria e ushqimit, politikat veterinare dhe fitosanitare” ka të ngjarë që do të jetë ndër pengesat për ta bërë Shqipërinë vendin ku zë vend slogani i Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore, “Nga ferma në tavolinë”.
Nga Granit Sokolaj

(http://www.eupolicyhub.eu/2489-2)