Reklame:

5 vendet me siperfaqet me te medha pyjore te globit

Pemët janë mushkëritë e planetit tonë. Ato thithin dioksidin e karbonit nga atmosfera, e ruajnë atë për të krijuar rrënjë e trungje, dhe lëshojnë oksigjen gjatë procesit.

Ndërkohë që shkencëtarët dhe inxhinierët punojnë për të gjetur zgjidhje teknologjike për të kapur dhe për të ruajtur dioksidin e karbonit nga aktiviteti i njerëzve, pyjet magazinojnë deri në 45% të të gjithë dioksit të karbonit në Tokë.

Dhe, pikërisht tani, kur kemi nevojë për më shumë pemë për të reduktuar emetimet e gazit serrë, një raport i ri i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë i Kombeve të Bashkuara – UN FAO – Global Forest Resources Assessment 2020  shkruan se bota ka humbur 178 milionë hektarë pyje nga viti 1990. Kjo është një hapësirë ekuivalente me sipërfaqen e Libisë.

Humbja neto e sipërfaqeve të pyjeve, në ngadalësim

Lajmi i mirë është që, edhe pse shumë e lartë, të dhënat tregojnë një rënie të humbjes neto të pyjeve – ekuilibri mes shpyllëzimit dhe zgjerimit natyror apo mbjelljes së pyjeve. Ndërkohë që në vitet ’90, UN FAO regjistronte një humbje neto vjetore prej 7,8 milionë hektarësh në vit, në dekadën e fundit, shkalla e humbjes së pyjeve ka rënë në 4,7 milionë hektarë.

Humbjet më të mëdha janë regjistruar në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, me një përmirësim të ndjeshëm në 10 vitet e fundit. Azia është kontinenti që ka realizuar fitimet më të mëdha neto, ndjekur nga Europa.

Pyjet nëpër botë, në 5 vende

Më shumë se gjysma (54%) e gjithë pyjeve nëpër botë ndodhen në 5 vende: Rusi, Brazil, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinë. Balancimi i përfitimeve të klimës dhe shëndetit me nevojat e ekonomisë mund të jetë një sfidë. Prerjet ilegale dhe pastrimet e pyjeve për lloje të tjera të bujqësisë kanë pasur efekte negative te pyjet në Rusi dhe Brazil. Vetëm në vitin 2018, Rusia humbi 5,6 milionë hektarë sipërfaqe me pemë, ndjekur nga Brazili me thuajse 3 milionë. Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara humbën rreth 2,1 milionë hektarë secila, ndërsa Kina, më shumë se 1 milionë e gjysmë.

Me pyjet që rigjenerohen në mënyrë natyrale, në rënie që prej vitit 1990 dhe me rritjen e mbjelljes së pyjeve – nismat për të mbjellë pemë janë një mënyrë për t’i dhënë fund shpyllëzimit.