Në Athinë, rezidentët dhe turistët do të mund të shijojnë sërish pamjen e Akropolit. Tarraca panoramike e një hoteli me pesë yje do të prishet, për të rikthyer panoramën mbi qytetin e vjetër grek, zemra e qytetërimit helen, si dhe një nga vendet arkeologjike më të famshme në botë.
Gjithçka nisi një vit më parë, kur pronari i Coco-Mat, i cili drejton edhe kompaninë me të njëjtin emër për prodhimin e dyshekëve, i shtoi një tjetër kat ndërtesës. Me kalimin e kohës, ajo u bë një pikë e rëndësishme për turistët, të lumtur se kishin në dispozicion një “panoramë që të linte pa frymë” të tempujve grekë. Por ky projekt shkaktoi protesta te qytetarët e Makriyianni, lagjja që u prek më shumë nga ndërtimi.
Rezidentët nisën në internet një peticion për mbledhjen e firmave, i nënshkruar nga 23 mijë persona. Kjo ishte një shifër e mjaftueshme për të apeluar në Këshillin Qendror Arkeologjik (KAS), organi më i lartë këshillues për ruajtjen e trashëgimisë historike-artistike të vendit.
Para se të merrte vendimin, KAS bëri një inspektim në ndërtesën që ndodhet në cep, mes rrugëve Misaraliotou and Karatasi, në lagjen Koukaki, në qendër të Athinës, ne maj. Ekspertët konstatuan që ndërtesa (e lartë rreth 32 metra) nuk ishte në harmoni me ndërtesat e tjera në zonë.
Gjykatësit debatuan për gjashtë orë me radhë. Në fund, u mor vendimi për prishjen e tarracës, duke u njohur të drejtën e qytetarëve për të përfituar nga një e mirë e përbashkët.
“Ishte një vendim i guximshëm” – deklaroi kryetari i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis. Ai shtoi se “Akropoli është zemër dhe shpirt, është një pjesë thelbësore e pasurisë sonë kulturore. Është e rëndësishme që të gjithë të mund ta vlerësojnë atë”.
Pas krizës ekonomike të vitit 2012, në Greqi, u hoqën – nga legjislacioni i planeve rregullatore – disa kufizime që mbronin panoramën, madje edhe kufijtë në lartësinë e ndërtesave. Investitorët shfrytëzuan momentin për të ndërtuar ndërtesa më të larta, ose duke u shtuar kate atyre ekzistuese.
Prej kohësh, aktivistët u kërkojnë qeverisë, me zë të lartë, t’i rivendosë këto kufizime. KAS nuk e ka njoftuar ende datën dhe mënyrën se si pronari i hotelit duhet ta prishë “roof garden”. Në shkurt, Ministria e Mjedisit, pezulloi të gjitha lejet e ndërtimit në zonën rreth Akropolit.