Shqipëria ka ngushtuar lehtë hendekun me Europën sa i përket një prej indikatorëve më të rëndësishëm të mirëqënies; konsumit. Të dhënat më të fundit të agjencisë europiane të statistikave tregojnë se, një shqiptar mesatar konsumon sa 40% e një europiani mesatar. Vitin e kaluar kjo normë fiksohej në 38%. Pavarësisht rritjes, Shqipëria vijon të jetë sërish vendi i fundit në Europë në këtë drejtim. Madje, shumë më keq se disa vende rajonale.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është marrë në analizë. Të dhënat janë alarmante dhe tregojnë se konsumi aktual për frymë në vendin tonë është plot 2.5 herë më i vogël se ai i një europiani mesatar, një italiani për shembull. Konsumi aktual individual është ndoshta indikatori më i saktë i mirëqënies, pasi shprehet në standardin e fuqisë blerëse, pra i standardizuar sipas nivelit të secilit vend. Krahasuar me vende si Luksemburgu, një shqiptar konsumon thuajse 3.4 herë më pak, mesatarisht. Luksemburgu është dhe vendi me konsumin më të lartë individual, 25% mbi mesataren europiane, ndërkohë që ndiqet nga Norvegjia, Zvicra dhe Gjermania.
Në vend të fundit ndërkohë qëndron Shqipëria e ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut. Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 60% e një europiani mesatar, madje edhe më shumë se një bullgar. Pra, në terma më të thjeshtuar, në rast se një europian mesatar, një Italian përshembull, mund të blejë 10 pako makarona me të ardhurat e tij mujore, një shqiptar mesatar, mund të blejë 4 pako, dhe një malazez, 6 të tilla. Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, në Shqipëri është sa 31% e mesatares europiane.(SCAN)