Reklame:

Kosove – 53 mln euro per sektorin bujqesor!

Diten e sotme ne Kosove eshte nënshkruar Programi për Zhvillim Rural dhe ai i Pagesave Direkte me vlerë 53 milionë euro për sektorin e bujqësisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori  pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Programit për Zhvillim Rural dhe Programit të pagesave direkte, duke e vlerësuar këtë si një ngjarje të rëndësishme për gjithë sektorin bujqësor edhe për të gjithë ata që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të bujqësisë. “Besoj është ndër zhvillimet kryesore që ndodh gjatë vitit dhe më vjen mirë që keni një bashkëpunim të mirë me ministrin e Bujqësisë në këtë drejtim. Unë jam vërtet sot i nderuar të jem vetëm prezent gjatë ceremonisë të nënshkrimit të programeve nga ana e ministrit të Bujqësisë, të cilat besoj që keni pas mundësi t’i diskutoni së bashku, të jeni plotësisht të njoftuar në dizajnimin e programit, e pastaj në zbatimin në praktikë të atyre programeve”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti tha se këtë vit kjo çështje është e rëndësisë së veçantë, duke pasur parasysh kushte nëpër të cilat kemi kaluar gjatë këtyre tre -katër muajve të fundit si rezultat i pandemisë, ku bujqit, fermerët kanë kaluar në një periudhë të vështirë, ku kulturat bujqësore të hershme në pranverë pothuajse kanë shkuar krejt pa pasur mundësi të dalin në treg, e pastaj edhe për shkak të reshjeve, breshërit.

“Plot bujq gjithandej nëpër Kosovë janë dëmtuar bukur shumë. Kur përballemi me situata të tilla, kur shoqëritë, ekonomitë izolohen plotësisht, e shohim sa e rëndësishme është që ne të kemi prodhues dhe bujq vendor dhe të kemi kapacitete vendore që ne të plotësojmë nevojat”, tha kryeministri Hoti, duke përgëzuar ministrin për punën që ka bërë deri më tash.
Kryeministri Hoti, po ashtu bëri publik qëndrimin e qeverisë që është edhe pjesë e Programit Qeverisës për mbështetjen dyfish më të madhe të sektorit të bujqësisë nga pakoja për rimëkëmbje ekonomike.
“Kjo që nënshkruani sot është pjesë e buxhetit të rregullt të Ministrisë së Bujqësisë për programin bujqësor, ndërkaq sapo të miratohet Buxheti në Kuvendin e Kosovës të cilin e kemi kaluar në Qeveri tash shpejt, në kuadër të Fondit që është 384 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike si ndihmë bizneseve, qytetarëve dhe bujqve, pjesa e bujqësisë do të ketë një përkrahje të konsiderueshme në ato masat që besoj i keni pa në programin tonë për rimëkëmbje ekonomike”, tha kryeministri Hoti.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa tha se përkrahja e bujqësisë dhe zhvillimit rural siguron qëndrueshmëri financiare, rritje të aktivitetit biznesor dhe përfitime socio-ekonomike, jo vetëm për bujqit dhe banorët në zona rurale, por për të gjithë shoqërinë, ekonominë dhe shtetin e Kosovës.

“Janë këta fermerë dhe këto agro-biznese që prodhojnë ushqimin tonë, nga toka jonë, për familjet tona”, tha ministri Mustafa, duke shtuar se në shërbim të fermerëve dhe agro-përpunuesve, MBPZHR ofron dy programe përkrahëse dhe zhvillimore: Programin për Zhvillimin Rural dhe Programin për Pagesat Direkte.
Më tej, ministri Mustafa tha se me një buxhet ekzistues gjithsej 53 milionë euro, këto dy programe do të ofrojnë një injektim financiar më se të nevojshëm për likuiditetin dhe zhvillimin e fermerëve dhe agro-përpunuesve tanë, veçanërisht gjatë këtij viti mjaft sfidues për bujqësinë si pasojë e pandemisë me COVID-19.
“Duke theksuar të vetëdijshëm për sidat dhe dëmet financiare që ka shkaktuar OVID—19 për sektorin e bujqësisë, me angazhimin dhe miratimin personal të kryeministrit Hoti, bujqësia do të përfshihet me një shumë substanciale, në formë të subvencioneve, në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, që pritet të miratohet dhe zbatohet së shpejti”, tha ministri Mustafa.