Reklame:

Ushqimi, jemi me te shtrenjtet ne rajon – Eurostat: Ne Shqiperi shtrenjtohet “shporta”, çmimi sa 82% e mesatares europiane

Të dhënat më të fundit të Agjencisë Europiane të Statistikave tregojnë se, në Shqipëri çmimet janë sa 57% e mesatares europiane. Kjo normë e vendos Shqipërinë ndër vendet më të lira në kontinentin e vjetër, por në krye të rajonit, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi. Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, por më gjerë edhe Turqia si vend kandidat, janë të treja më të lira se vendi ynë, thotë Eurostat.

Veshjet në Shqipëri kushtojnë thuajse sa në Europë, më saktësisht sa 97% e mesatares së Bashkimit Europian. Produktet e elektronikës së konsumit ndërkohë janë e vetmja kategori të cilën shqiptarët e blejnë në Shqipëri më shtrenjtë se në Europë. Restorantet dhe hotelet ndërkohë, në vendin tonë kushtojnë sa 46% e mesatares europiane. Kjo normë bën që ne të jemi vendi i dytë më i lirë në Europë, me një diferencë minimale me Maqedoninë e Veriut.

Edhe pijet alkoolike, si dhe duhani janë ndjeshëm më të lira në Shqipëri sesa në Europë, në 68% të mesatares së BE-së. Sa i përket ushqimit dhe pijeve jo-alkoolike, në Shqipëri çmimi është sa 82% e çmimit mesatar në Europë. Kjo është norma më e lartë në rajon. Kjo normë është rritur krahasuar me vitin e kaluar, kur fiksohej në 79%, si dhe është më e lartë se në Bullgari, Poloni, Rumani si dhe njësoj me Lituaninë. (SCAN)