Reklame:

Bujqesia/ Mbi 2600 fermere u formalizuan ne 2019

Gjatë vitit 2019, 2623 fermerë u formalizuan duke u bërë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore.  Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, aktualisht në të gjithë vendin rezultojnë si të vetëpunësuar në bujqësi, të formalizuar, rreth 61.563 fermerë.

Por megjithëse ka pasur progress gjatë vitit që lam në këtë drejtim, sërish mbetet shumë për të bërë pasi sipas të dhënave të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, në Shqipëri në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit operojnë mbi 350 mijë ferma, ku pjesa me e madhe e të cilave janë të përjashtuara nga fondet në bujqësi, nga politikat lehtësuese të qeverisë,  për shkak se funksionojnë në të “zezë”.

Referuar shifrave të ISSH-së, kontributi vjetor i mbledhur nga të vetëpunësuarit në bujqësi është afro 2.2 miliardë lekë dhe 72.8 për qind e kontribuuesve janë në zonat fushore, ndërsa 27.2 për qind në zonat malore. E ndarë në qarqe, numri më i lartë i kontribuuesve është në qarkun e Fierit ku dhe bujqësia është me zhvilluar, më pas renditet Elbasani, Korça dhe Vlora,  ndërsa me më pak fermerë të formalizuar rezulton Kukësi dhe Durrësi.