Ndryshimet klimatike janë shndërruar në sfide për ekonominë e mbarë globit, por për bujqësinë ndryshimet janë më të mprehta. Climate Change njoftoi se Shqipëria do të ndeshët me këto vështirësi deri në vitin 2025.
Analiza tregon se, ngrohja e klimës nuk është shumë favorizuese për prodhimin e grurit në Shqipëri, pasi zakonisht kjo kulturë kërkon një dimër të ftohte, por perimet do të dalin me herët në treg.
Dimri më i ngrohtë do të shpejtojë daljen në treg e perimeve të pranverës, por burimet e nevojshme të ujit do të cenohen.
Sezoni i rritjes se perimeve mund të zvogëlohet për disa të lashta për shkak të rritjes së temperaturës. Drithërat do të korren me herët.
Temperaturat më të larta gjatë sezonit të rritjes do të rrisin nivelin e zhvillimit të të gjitha kulturave dimërore, të cilat mund të bien pre e një të ftohti të papritur në nisje të pranverës, çka do të dëmtojë rëndë prodhimin e tyre.
Temperaturat më të larta ndoshta do të jenë të dobishme për kullotat, të paktën në fillim të sezonit, përmes rritjes së prodhimit të hershëm të biomasës. Por gjithashtu mund të ulin aftësitë e rritjes së barit dhe barërat e këqija pritet të përfitojnë nga përqendrimet më të larta të CO2. Në përgjithësi, temperaturat më të larta mund të shkurtojnë ciklin riprodhues të shumë dëmtuesve, kështu që rreziku i dëmtimit të bimëve nga dëmtuesit dhe sëmundjet mund të rritet si rezultat i ndryshimit të klimës.
Climate Change thekson se rreziku më i lartë për bujqësinë qëndron tek thatësia, por në Shqipëri burimet e ujit do të jenë të mjaftueshme për ujitje deri në vitin 2025. Kështu, deri në vitin 2025 nuk mund të pritet asnjë ndikim i konsiderueshëm në rendimentet e të lashtave si gruri, misri, patatja, perimet, foragjeret. Por në Shqipëri faktor kufizues për ujitjen mbetet mosmirëmbajtja e rrjeteve të transmetimit të ujit dhe rezervuarave.
Bujqësia përbën vetëm një pjesë të vogël të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në Evropë, por në Shqipëri, ky sektor zë 1 të pestën e PBB-se dhe ofron 40 për qind të punësimit në vend. Ndaj ndikimi që do të ofrojë ndikimi i klimës duhet shqyrtuar me përgjegjshmëri.