Rënia e investimeve në lëndët djegëse fosile, e lidhur me tkurrjen e kërkesës, tani mund të ndiqet nga një zhvendosje drejt energjive të ripërtëritshme. Kjo pikë kthese do t’i bënte mirë shëndetit të planetit dhe ekonomive individuale të vendeve. Edhe në këtë pikë, Europa duket se është gati, por mbeten për t’u zgjidhur çështjet e gazit dhe ato bërthamore.
Këtë vit, investimet globale në energji do të tkurren me 20% krahasuar me vitin 2019. Në pamje të parë duket një katastrofë. Por sipas një raporti të pak ditëve më parë i International Energy Agency, IEA – agjencia për energjinë e vendeve të industrializuara – mund të jetë një mundësi e jashtëzakonshme. Me fjalë të tjera, ndoshta është e vërtetë ajo që filozofët dhe futurologët kanë filluar të thonë – bota e post-COVID do të jetë ndryshe nga ajo që njihnim dhe jo domosdoshmërisht më e keqe.
Zbrazëtia e krijuar nga karantina u hap dyert mundësive për të nisur një drejtim të ri – ky është thelbi i raportit të IEA në bashkëpunim me FMN. Këtë e pranon edhe Big Oil. Disa ditë më parë, një ndër gjigantët e naftës, BP, fshiu nga bilanci i tij 17.5 miliardë dollarë – janë rezervat e naftës që zotëron, por në të ardhmen nuk ia vlen për t’i nxjerrë nga puset, për shkak të mungesës së kërkesës. Kjo vlen për të gjithë. Ekspertët autoritarë të Rystad Energy kanë llogaritur që në botë, ekuivalenti i rezervave të Arabisë Saudite, vendi më i pasur me naftë, është i destinuar të mbetet nën tokë.
Por investimet e humbura në lëndët djegëse fosile mund të devijohen në energjinë e pastër. Nëse qeveritë përqendrohen me vendosmëri në planet post-COVID, në ekonominë green, mund të kanalizojnë investimet private dhe të financojnë kështu pjesën më të madhe të shpenzimeve të nevojshme për një pikë kthese historike, thonë IEA dhe FMN – ta bëjnë 2019 vitin kur emetimet e dioksidit të karbonit arritën pikun dhe filluan të zbresin.
Do të ishte një kthesë shumë e shpejtë për t’u arritur në tre vjet, mes 2021 dhe 2023, në hapësirën e programeve post virus – duke drejtuar 3 mijë miliardë dollarë për të ndryshuar fytyrën e sistemit elektrik, transportin dhe ndërtimin – energjinë diellore, të erës, trenat me shpejtësi të lartë dhe makinat elektrike. Çmimi do të ishte një botë më e pastër, por edhe një nxitje prej 1% në vit e rritjes globale (në praktikë një e katërta e atij 4 përqindëshi, që është trendi normal i zhvillimit botëror) dhe krijimin e 9 milionë vendeve të punës në botë, në secilin prej tre viteve.
Në këtë terren, edhe një herë, të paktën në planin e parimeve, Europa është gati. Parlamenti i Strasburgut sapo ka filluar udhëzimin e arsyetuar për investimet e gjelbra. Tani duhet vlerësuar se cilat investime, kompanitë, por edhe qeveritë, mund t’i cilësojnë ekologjikisht të qëndrueshme, me pak fjalë të denja për ndihma dhe subvencione, duke nisur nga 750 miliardë euro të Next Generation Eu, emri i ri i Recovery Fund, që qeveritë po diskutojnë këto ditë.
Krahasuar me hartën bashkëkohore të krijuar nga IEA, ndryshimi që bie më shumë në sy lidhet me gazin dhe energjinë bërthamore. Ato janë plotësisht pjesë e gamës së instrumenteve të propozuara nga IEA dhe FMN, por pranohen vetëm me rezerva, në udhëzuesin e arsyetuar europian dhe përcaktohen si energji tranzicioni ose “mundësuese”. Me pak fjalë, duke qenë se energjitë e rinovueshme sot nuk janë në gjendje të mbulojnë vetë nevojat e energjisë, gazi dhe energjia bërthamore mund të veprojnë si një urë për të mbuluar këtë periudhë, në pritje të një energjie e gjitha e gjelbër.
Kompromisi i gjetur me vështirësi në Europë mbi gazin dhe energjinë bërthamore është, në të vërtetë, më i ndërlikuar për t’u respektuar se sa mund të duket në plan të parë. Termocentralet e gazit ose ato atomike duhen rinovuar apo ndërtuar – duhet pasur siguri në përdorimin e ardhshëm për të justifikuar investimin. Kjo kërkon, minimumi, një menaxhim kompleks të mbylljeve dhe hapjeve të impianteve për të pasur energjinë e nevojshme në tranzicion, pa i bërë impiantet të vjetrohen shumë shpejt.
(La Repubblica)