Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera janë rritur mesatarisht me 1.8% në qershor, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, raportoi INSTAT, duke mbetur poshtë objektivit të shënjestuar prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Rritja është ndikuar nga ushqimet, qiratë dhe uji, ndërsa çmimet për kategoritë e tjera kanë shënuar ulje, ose nuk ka pasur ndryshime.
INSTAT raportoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2020, arriti 108,1 kundrejt muajit Dhjetor 2015. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2020 është 1,8%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2020, krahasuar me Maj 2020 është -0,6%.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,1%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,9%, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5%, “Komunikimi” me 0,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3%, “Shërbimi arsimor” me 0,2%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,0%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,6% dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,5%.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 12,0%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 10,0%, “peshk” me 6,1%, “vajra dhe yndyrat” me 5,1%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,3%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,0%, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,5%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2% dhe “Transporti” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,8%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili. (Monitor)