Jeta e fermerëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë dhe largimi i të rinjve nga zonat rurale.
Fshati Sverkë ndodhet në Kosovë, rreth 16 kilometra nga qyteti i Pejës.
Berat Hasani, është pronar ferme dhe është mjaft i shkathën në organizimin e punëve. Banorët e fshatit i kanë dhënë emrin “Mbreti i blegtorëve”.
https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=277546396845255}|
Ai para kësaj pune, ka jetuar prej rreth gjashtë vitesh në Belgjikë, ku ka punuar në një fermë zogjsh. Ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, e më pas edhe magjistraturën. Megjithatë ka vendosur të mos jetoj si zyrtarë duke pritur fillimin e muajit dhe pagën.
Është kthyer në fshatin e tij të lindjes, ka blerë disa lopë, por tani këtë numër e ka rritur në gati 50.
“Shumica e bashkëfshatarëve kanë nga një punë në qytet apo në vende të tjera. Unë kam gjetur për vete një zgjidhje dhe jam i lumtur. Jetoj nga puna ime dhe nuk kam nevojë të pres datën një ose dhjetë që të kemi para”, thotë Hasani.
Para luftës këtu kanë jetuar edhe serbët, por tani jetojnë vetëm shqiptarët. Me kalimin e kohës edhe ata kanë filluar të largohen, disa në qytetet për rreth, kurse disa jashtë shtetit. Shumica nuk duan një jetë fshati dhe në këtë nuk gjejnë kuptim. Kushtet e vështira dhe jeta në fshat nuk është zgjidhja që duan të rinjtë.
Përveç tokës së tij, Hasani merr edhe toka me qira, pasi në këtë fshat të rrallë janë ata që kanë bagëti dhe në të shumtën e rasteve nuk merren me bujqësi. Ai për kafshët ka siguruar ushqimin për dy vitet e ardhshme.
“Shumica e njerëzve mendojnë se mund të arrijnë qëllimet e tyre për një vit ose dy. Ky është një gabim i madh, pasi nëse mendoni në një periudhë më të gjatë, diku prej 10 vitesh, vështirë se mund të arrini qëllimin tuaj. Njerëzit i shmangen kësaj pune pasi bujku u duket si njeri pa vlera. Por, nuk e dinë se nga bujqësia gjithçka fillon”, thotë ai.
Ky fermer me vete ka sjellë një frymë të kulturës Perëndimore, të cilën e ka ndërthurë me traditën. Dhe, ajo më e rëndësishmja ka gjetur mënyrën të tejkalojë atë që në Ballkan është gjithmonë problem – organizimin. Toka e tij jep më shumë fryt se më parë. Ka kryer kërkime se si ta punoj më suksesshëm dhe ka studiuar të gjitha mënyrat e mundshme. Tani ky fermer i suksesshëm punon rreth 50 hektar tokë.
“Gjithmonë mundohem që ushqimin bazë ta siguroj vet dhe me kohë. Duhet të jesh i sigurt dhe të punosh me plan, pasi për shkak të tregut mund të vijë deri tek mbyllja e biznesit. Ka probleme sikurse në ҫdo punë, prandaj duhet siguruar të paktën një vit para”, përfundon ai.
Fshati Budrika e Poshtme në afërsi të Gjilanit, një kënd tërësisht i kundërt i Kosovës. Në këtë fshat të Anamoravës jetojnë serbët që tani i takojnë komunës së re – Parteshit. Serbët dhe shqiptarët këtu kanë pasur më pak probleme edhe gjatë luftës. Por, tani për shumicën punë nuk ka dhe lufta është për ekzistencë.
Radomir dhe Jasmina Zhivkoviq, pas luftës e kanë kuptuar se e ardhmja e tyre do të jetë e pasigurt. Radomiri dikur në punë ka mbajtur kollare – si recepsionist hoteli. Kanë filluar me prodhimin e luleve duke vazhduar traditën e të parëve. Ky start-up është një nga rrëfimet e suksesit dhe këtu punon e tërë familja. Punëtorë nuk kanë.
“Kemi vendosur të merremi me prodhimin e specave pasi edhe gjyshi, stërgjyshi dhe babi im kanë bërë këtë punë dhe ne e kemi vazhduar. Ne kemi filluar me prodhimin e specave në mjedis të mbyllur. Pastaj kemi nisur me prodhimin e ajvarit (speca pate në kavanoz), turshisë dhe kemi bërë gjithë xhiron, faktikisht nga fara e deri tek prodhimin final”, thotë Zivkoviq.
Jasmina thotë se tani është më lehtë pasi tani e dinë se si dhe çfarë nevojitet. Me tre fëmijë duhej përballuar jetën dhe vështirësitë i kanë bërë të suksesshëm. Pas tyre, shumë këtu i janë kthyer bujqësisë.
“Nga zona e jonë shumë kanë shkuar përtej kufijve, por duhet punuar kudo që shkon! Pak është problem pasi këtu ende nuk kemi siguracione për vitet e punës. Por, puna shpaguhet më shumë të të punosh në një shtet të huaj, këtu je në shtëpinë tënde, pranë familjes dhe fëmijëve dhe është shumë më bukur. Por, të rinjtë gjithnjë e më shumë largohen, pasi kur ikën një duan të gjithë”, thotë Zivkoviq.
Ata thonë se në Kosovë nuk kanë probleme dhe se prodhimet e tyre janë të njohura. Kanë vizituar disa panaire të prodhimeve bio në Evropën Perëndimore, por tani nuk munden pasi as shqiptarët e as serbët nuk lëvizin dot askund pa viza.
“Duhet të provojmë disi me pasaportat e Kosovës të kërkojmë viza, pasi këtë vit është dashur të jemi në Cyrih dhe në Vjenë, por për shkak të situatës nuk kemi mundur. Nuk e dimë se si do të jetë tutje, por duhet të rregullojmë dokumentet pasi kemi kërkesa të mëdha për prodhimet tona në Zvicër, Gjermani e Francë”, shton Zivkoviq.
Zhivkoviqët tani janë të gjithë bashkë. I biri Milloshi është martuar me një vajzë nga fshati fqinjë dhe është bërë baba. Familja bënë plane për detyrat e sotme. Shumë vjet pas fillimit të punës, mendojnë të zgjerojnë biznesin familjar. Përmes një projekti, kanë arritur të fitojnë serra. Gjithçka funksionon si ekip i përkryer. Bashkëpunimi, qëndrueshmëria, puna dhe mundimi gjithmonë shpaguhen.
Milloshi ka jetuar në Luksemburg, ka punuar në Gjermani, por tani nuk ka ndërmend të kthehet atje- përveç si turist ose për biznes.
“Në Gjermani kam punuar pasi në dimër ka punë këtu. Atje punoja tek pronari, këtu jam vet shef, kur të dua vij në punë. Nuk ka rëndësi nëse vijë në orën 8 apo 12 pasi është prona ime. Më pëlqen më shumë në tokën time të punoj dhe fitoj. Kur të jetë gjithçka gati, duhet gjetur blerësit. Pazaret janë të ndara, por ndonjëherë shkojnë bashkë. Në Gjilan ku shumica e banorëve janë shqiptarë, më së shpeshti shkon Jasmina, por kur nuk është blerësit e kërkojnë në telefon. Prodhimi i mirë gjithmonë shkon”, thotë Zivkoviq.
“Tek unë më së shumti blejnë shqiptarët. Burri dhe unë nuk kemi pasur kurrë probleme dhe jemi mirënjohës, por edhe ata pëlqejnë prodhimet tona. Në që punojmë, edhe shqiptarët dhe serbët jemi njësoj, fshatari është fshatar. Kemi problemet e njëjta. Funksionojmë mirë dhe shoqërohemi. Nëse ata nuk kanë një prodhim i udhëzojnë tek ne blerësit, nëse ne nuk kemi i dërgojmë te ata”, shton Jasmina.
Familja ka dy lloje punësh dhe për të fituar më shumë mbjellin edhe speca në mjediset e hapura. Këtë vit janë vonuar me mbjellje për shkak të virusit korona. Gjithsesi, përgatitjet shkojnë siҫ duhet dhe shpresojnë që deri në vjeshtë do të nisin një prodhim më të madh. Radomiri thotë se edhe për serbët edhe për shqiptarët problem kryesorë janë paratë dhe mungesa e punës. Të rinjët, megjithatë rrallë vendosin të bëjnë këtë punë.
“Mendoj se këtu mund të ketë punë për të rinjtë vetëm nëse hapen fabrika të mëdha, por sa i përket bujqësisë rrallë kush mund të punoj. Ne jemi duke punuar derisa të mundemi, por kur të mos mundemi më edhe në do ta lemë. Ҫ’të bëjmë?”, përfundon Radomiri.
Berat Hasani, e ҫon ditën drejt fundit. Shumë, siç thotë, shkojnë në qytet të punojnë, kurse ai merr punëtorë nga vende të tjera. Por, nuk i paragjykon dhe dëshiron të shikojë vetëm punët e tija. Në vit prodhon nga 15 deri në 20 ton qumësht. Kur grumbullohen sasitë, ia dorëzon qumështoreve dhe e mbyll ciklin e biznesit.
“Bujqësia në ҫdo vend të botës është prioritet për shtetin. Mendoj se njerëzit duhet të merren më shumë me aktivitete bujqësore për arsye të shumta, por mbi të gjitha pasi prodhimet vendore janë bazë për një jetë të shëndetshme”, thotë Hasani.
Shumë në Kosovë shpresat i mbajnë tek një zhvillim ekonomik më i shpejt. Por, largimi jashtë për shumë këtu është zgjidhja e vetme. Hasani ka qenë në një parti politike në Kosovë, por ka vendosur të merret me ndryshime më konkrete dhe diplomat ti shërbejnë tani më shumë si kujtim.
“Ne jemi një shoqëri e re dhe na duhet një angazhim më i madh, të japim më shumë për shtetin tonë në mënyrë që vet ne të jetojmë më mirë dhe te kemi një të ardhme të qëndrueshme. Nëse mendojmë se problemet zgjidhen vetëm me intervista dhe këtë elitë politike – është shumë e kotë”, përfundon bujku Hasani.
Fshatra si këto dhe njerëz që shohin punët e tyre në Kosovë nuk janë rregull, por përjashtime. Shumë shpresojnë se zgjidhja e konflikteve politike do t’ua hapë rrugën e integrimit drejt Evropës dhe portat e zhvillimit. /Deutsche Welle/