Pas zjarreve të shumta qe kanë nisur në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Fier, Dom Gjergj Meta ka shprehur shqetësimin e tij për këtë dhe indiferencën institucionale dhe mediatike.
“Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjt këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujrat që devijuam, me mijra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambjentit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere”, shkruan Dom Gjergji.
Postimi i Dom Gjergjit:
DHEMBJE DHE ZEMËRIM …
Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.
Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzjehet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qënie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.
Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.
Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën e cila po digjet.
Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjt këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujrat që devijuam, me mijra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambjentit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.
Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjt.