Pas pakësimit të rritjes së sasisë së larvave gjatë muajit të mëparshëm, në këtë muaj, herët a vonë, vihet re një shtesë e re në rritjen e tyre, por që nuk arrin nivelin e fillimit të verës. Në disa zona fillon periudha e rritjes së bletëve që do të dimërojnë, dhe familjet shfaqin shenja të përgatitjes së tyre për dimërim. Në zonat me kullota, familjet aktivizohen, vazhdojnë të rritin meshkuj dhe disa ndërrojnë mëmat. Kontrollohen kullotat që lulëzojnë në këtë kohë si trumëza, shqopa vjeshtake (hamuriqi), luledielli etj. Bëhen përgatitjet dhe organizohet shtegtimi i bletëve për në kullotë. Sigurohen pajisjet e nevojshme dhe bëhet vjelja e mjaltit, por pa prekur, në asnjë rast, rezervën dimërore të bletëve. Plotësohen rezervat ushqimore për dimër; zëvendësohen mëmat e papërshtatshme; kontrollohen rezervat e mjaltit për mënjë.
Masat e marra në muajin e mëparshëm për ruajtjen e forcës së familjeve, tani plotësohen me krijimin e konditave sa më të mira në zgjua për rritjen intensive të larvave. Për këtë, në disa zona ngushtohet vëllimi i zgjojeve duke hequr depot e mjaltit ose katet e dyta, duke vendosur në mes të foleve hoje nga kanë dalë shumë brezni (për të ruajtur ngrohtësinë) ku të pjellin mëmat, duke përdorur ushqim nxitës në ato zona ku nuk ka kullotë. Në rast se mungon pjalmi në zgjua dhe në natyrë merren masë që në çdo zgjua të futen një deri dy korniza pjalm të siguruar në muajt e mëparshëm, ose përdoren zëvendësues të tij.
Është koha më e përshtatshme për mbledhjen e pjalmit nga misri, i cili mund të përdoret me shumë sukses në periudhat deficitare të tij. Kujdes i posaçëm duhet të tregohet për ruajtjen e hojeve që janë hequr nga bletët e që mund të dëmtohen nga mola; prandaj ata vendosen në ndonjë lokal të freskët, të mbyllur mirë, ku dezinfektohen herë pas here me squfur ose naftalinë. Për të pasur familje të forta për pranverën e ardhshme, merren masa për krijimin e familjeve ndihmëse mbi bazat, të ndara njëra nga tjetra me kompensatë ose rrjetë teli. Ato dimërojnë të ndara, por me fillimin e kullotës, në pranverë, bashkohen me njëra-tjetrën.