Nëse pretendojmë për një zhvillim të qëndrueshëm agrar, nevojitet përmirësimi i produktivitetit në bujqësi, përmes politikave të duhura bujqësore. Të gjithë së bashku (si nga sektori publik ashtu edha ai privat) duhet të angazhohemi për sigurimin e ushqimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Mbështetja e bujqësisë është tregues i sigurisë ushqimore dhe mundësive të punësimit. Rëndësia e bujqësisë në nivel kombetar, duhet të kete nje prioritet për faktet e meposhtme:
- Bujqësia kontribuon në të ardhurat kombëtare; mesatarja botërore e vendeve në zhvillim, tregon se të ardhurat vjetore varen mbi 50 % nga bujqësia. Pavarësisht se në vendet e zhvilluara kontributi i bujqësisë është më i vogël në ekonomitë kombëtare (rritja e industrializimit), bujqësia ka akoma rol të theksuar edhe në ato vende në të ardhurat kombëtare.
- Bujqësia është burim themelor i ushqimit; si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në vendet në zhvillim apo të pazhvilluara, furnizimi me ushqim është primar. Kërkesat e popullatës çojne në rritjen e kërkesave për ushqim. Kjo, sepse nëse bujqësia nuk përmbush kërkesat e shtuara për ushqim, nuk mund të ketë rritje ekonomike në nivel vendi.
- Bujqësia është burim i punësimit; roli i bujqësisë në shkallën e punësimeve si gjatë periudhës vegjetative (punësimet sezonale), ashtu edhe periudhës vjetore është i pazavendësueshëm. Përmes punësimeve në sektorin e bujqësisë në nivel vendi, do të ndikohet në uljen e varfërisë së theksuar që është evidente.
- Bujqësia siguron lëndë të para për industri të shumta; industritë e shumta (ushqimore, tekstile, farmaceutike etj.) mund të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Përveç që janë një burim i punësimit, këto industri do të kërkonin lëndë të para të prodhuara nga bujqësia (drithëra, lulediellin, panxharsheqerin, pataten, duhanin, bimet aromatike mjekësore, qumështin, mishin, vezët, pemët, perimet etj.), për përfitimin e prodhimeve finale. Pjesa më e madhe e lëndëve të para, drejtpërdrejt varet nga prodhimtaria bujqësore.
- Bujqësia ndikon në zhvillimin infrastrukturor; infrastruktura e mirë organizuar, rezulton me një zhvillim të shpejtë ekonomik. Mjetet e shpejta të transportit dhe komunikimit për mallërat bujqësore – qoftë lëndëve të para apo prodhimeve finale, shtojnë shkallën e efikasitetit të punëve të fermerëve në bujqësi.
- Bujqësia është burim i mjeteve materiale; produktet si verërat, patatja, kulturat aromatike mjekuese, perimet dhe disa të tjera mund të destinohen për eksport. Nëse arrijmë të konsolidojmë sektorin e bujqësisë, mund të rezultojmë me kontigjente të caktuara të eksportit të disa produkteve bujqësore (si rezultat i rritjes së produktivitetit), ku dhe fitimet do të rriten. Nëse zhvillimi i bujqësisë intensifikohet, rritja e prodhimit të produkteve bujqësore zgjeron sektorë te tjerë ekonomikë dhe nuk eksportojmë para të gatshme jashtë vendit.
- Bujqësia kërkon politikë tjetër bankare; sigurimi i ushqimit është prioritet, prandaj sektori bankar duhet të sillet përgjegjshëm ndaj fermerëve. Qeveritarët duhet ta kuptojnë rëndësinë e bujqësisë, andaj duhet të merren masa konkrete për të siguruar që të ardhurat e fermerëve të ruhen në mënyrë të sigurt. Për më tepër, fermerëve duhet tu ofrojmë kredi me norma të ulëta interesi, duke formuar kështu shumë institucione financiare me lehtësira kreditore.
- Bujqësia kërkon hulumtime shkencore; hulumtimet shkencore në bujqësi dhe prodhimi ndikojnë reciprokisht në mënyrë pozitive. Shkenca në agronomi materialet kërkimore nga bujqësia dhe si kundërvlerë fermerëve u jepen produkte të reja teknologjike në kultivimin e bimëve dhe kafshëve duke ndihmuar rritjen e produktivitetit bujqësor. Kështu, mund të kontrollojmë siç duhet dhe të kultivojmë prodhimet bujqësore që konsumojmë.
- Bujqësia ulë pakënaqësitë e shumta; meqë po përjetojmë rritje të ngadaltë në sektorin e bujqësisë, kjo na ka çuar në pakënaqësi të madha mes nesh. Një masë e madhe e popullatës është e papunë, dhe të njëjtit përballen me probleme sociale (thjeshtë janë të uritur). Kjo shkallë e paknaqësisë sigurisht që nuk është e mirë për asnjë qeveri demokratike që të drejtojë në mënyrë joefektive ekonominë e brishtë. Gjatë tensioneve politike, progresi bujqësor mund t’u japë shumë njerëzve shpresë për një të nesërme më të mirë. Prandaj, bujqësia është vendimtare në baza sociale dhe politike.
Për këtë rëndësia e bujqësisë në nivelin e ekonomisë kombëtare nuk duhet të nënvlerësohet. Në fakt, nëse sigurimin e ushqimit dhe sigurinë ushqimore e kemi prioritet, atëherë përmes avancimit të bujqësisë do të kontribuonim shumë në ekonominë vendore. Përveç furizimimit të tregjeve vendase me prodhime vendase, mund të shijojmë dhe avantazhet e shumë punësimeve.
Nga Prof. Dr. Imer RUSINOVCI, Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë
(Gazeta Bujku)