Reklame:

OKB: Pandemia ndikoi negativisht ne bujqesine shqiptare, por qeveria nuk i ndihmoi fermeret

Pandemia Covid -19 dhe masat kufizuese në lëvizje për frenimin e saj në tremujorin e dytë e kanë ndikuar negativisht sektorin bujqësor, por megjithëkëtë bujqësia ka qenë e përjashtuar nga paketat shtetërorë të ndihmës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara analizoi efektet e pandemisë në bujqësi ku gjeti se, sektori ishte ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore në kulmin e sezonit të mbjelljeve. Ndërprerja e transportit publik dhe pamundësia për të përfituar autorizimin e udhëtimit përmes platformës e-Albania shkaktuan problematika.

Zinxhirët e furnizimit të inputeve nuk janë ndërprerë pasi nuk janë identifikuar mungesa në treg. Inputet të tilla si fara, fidanë etj sigurohen nga importi i cili nuk u ndërpre. Por në disa rrethe, çmimi me pakicë i plehrave kimikë (kryesisht nitrat dhe ure) është rritur me 5-15%, si dhe çmimet e  koncentratit për bagëtitë, krahasuar me periudhën e para fillimit të masave të marra kundër COVID-19 u rriten.

Nga ana tjetër çmimet e prodhimeve bujqësore nuk u rriten gjatë pandemisë, përveç çmimit të qumështit që ishte më i lartë se në vitin e kaluar.

Shumica e fermave në Shqipëri janë në pronësi të familjeve dhe prodhimi i tyre është kryesisht për vetëkonsum. Vetëm 10-12% e numrit të përgjithshëm të fermave janë të zyrtarizuara me numrin e identifikimit tatimor (NIPT) që i lejon ato të prodhojnë kryesisht për tregjet.

Nga ana tjetër për shkak të masave anti Covid-19, ka patur vështirësi të përkohshme ne eksporte.

Disa prodhime gjatë masave kufizuese, të tilla si luleshtrydhja dhe kastravecët u dëmtuan në masë.

Bllokimi i fluturimeve gjithashtu dëmtoi eksportin e disa erëzave që transportoheshin në këtë mënyrë.

Pavarësisht efekteve negative nga pandemia paketat e ndihmave që ofroi qeveria për të përballuar sado pak pasojat e krizës e përjashtuan sektorin e bujqësisë.

Bujqësia në Shqipëri është sektori me kontributin më të madh në ekonomi.

Në vitin 2019 sektori kontribuoi me 18.5% të PBB-së vendit dhe është burimi kryesor i të ardhurave për popullsinë rurale, teksa kontribuon me 38 për qind të punësimit total.

Aktualisht, ka rreth 350 mijë ferma familjare, ku madhësia mesatare e fermës është rreth 1.2 ha.