Reklame:

Presioni i gjobave me i keq se pandemia. Teknologu i bulmetit tregon tmerrin!

Trishtimi dhe dëshpërimi i inxhinierit teknolog Nazif Tivari, që ka një fabrike të vogël djathi dhe që është mbytur me gjoba dhe TVSH me tepër se 23 bar-kafenetë në 500 metra, të marra se bashku.

23 bar-kafe po numëroja tani në darkë nga hyrja e Durrësit tek stacioni i trenit deri në fund të asaj rruge ku edhe unë banoj në një pallat të ndërtuar përpara viteve 90.
Të gjithë kishin nga një emër sipas shijeve të pronarëve: “Langue Bar”, “Bar Pipo”, “Bar Maison”, “Bar Blanco”, “Bar 52”, “Bar Arkiev” etj. etj. Ishin të mbushur me njerëz.
Po mendoja: në 500 metra gjatësi ka 23 Bar Kafe.
Po këto bare, të marra së bashku, a mund të kenë 45 milionë lekë gjoba e tvsh. sa kam unë për dy fermerë qumështi që nga viti 2016.
Po sipërfaqja e një bar-kafeje është ndoshta sa është sipërfaqja e “Mozzarella Italia” në Shkallnur, ku tashmë punoj shumë-shumë pak me 10 punonjës e disa fermerë.
Po sikur të kishim 23 ferma me nga 50 lopë në rrethin e Durrësit, a do të hynin me ushqime e bulmet nga importi?
Vitin e ardhshëm arrij 70 vjeç.
46 vjet inxhinier teknolog, 15 vjet pedagog i jashtëm në UBT.
Mendoj, çfarë do të festoj, a do të kujtohet njeri?
Po kjo kamata e gjobave të prodhuesit sa do të shkojë, apo do ta mbyll 70-vjetorin bashkë me mbylljen e fabrikës.
A mund të kenë këto 23 bar-kafe aq gjoba e tvsh sa kam unë si prodhues?
A do të bëhet ndonjëherë ky vendi im?
Sa vjet do të zgjasë ky tranzicion për të pasur një demokraci të vërtetë?
Këtë rrugë e bëj çdo darkë për të derdhur në bankomat lekët e për t’ua kaluar fermerëve. Por nëse do të shkoja deri tek Mauzoleu i Dëshmorëve nuk i kam numëruar bar-kafetë.
Uroj që në 70-vjetorin tim, në fushatë zgjedhjesh dikush të kujtohet edhe për mua si prodhues, krahas bar-kafeve dhe do Zoti mos të më ndjekin me gjoba dhe vetëm gjoba.
Se punoj pastër, pa qumësht pluhur, pa vaj palme e pa proteina e pa ato djathëra që vijnë nga importi e shiten për mozzarella e djathë picash!”