Reklame:

OKB: Bota ka deshtuar me mbrojtjen e biodiversitetit

Bota ka dështuar në përpjekjet e saj për të mbrojtur biodiversitetin, me natyrën që po përkeqësohet vazhdimisht, sipas një raporti të botuar sot nga OKB.
“Raporti Global i Biodiversitetit i OKB-së zbuloi se asnjë nga 20 objektivat globale të biodiversitetit, për të cilat u ra dakord 10 vjet më parë, me një afat në 2020, nuk janë përmbushur plotësisht”, tha organizata.

“Vetëm gjashtë nga qëllimet, që kanë të bëjnë me ruajtjen e ekosistemeve dhe promovimin e qëndrueshmërisë, janë arritur pjesërisht”, sqarohet në raport.

Peshkimi i tepërt, shfrytëzimi i tepërt, ndryshimi i klimës, ndotja dhe speciet e huaja invazive janë disa nga shkaqet e humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të ekosistemit.

Raporti bën thirrje për tetë ndryshime urgjente për të ndaluar degradimin e natyrës, duke përfshirë rivendosjen e ekosistemeve, riplanifikimin e bujqësisë dhe reduktimin e konsumit të mishit dhe peshkut. (balkanweb)