Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se pas disa ditëve me reshje shiu e mot kryesisht të vranët, gradualisht mbi vendin tonë fillojnë të ndikojnë kushte të qëndrueshme atmosferike. Sipas SHMU nesër moti në vendin tonë do të jetë i kthjellët por nuk do të mungojnë edhe alternimet e vranësirave kalimtare të cilat më të përqendruara do të jenë në relievet kodrinore-malore.
“Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta në formë pikash. Në relievet e larta malore në orët e drekës reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave apo stuhive afatshkurtër shoqëruar me shkarkesa elektrike apo breshër,” shkruhet në njoftim.
Sipas njoftimit era do të fryjë me drejtim juglindje – veriperëndim 1-10m/s kryesisht përgjatë vijës bregdetare, zonat luginore dhe në momentin e zhvillimit të fenomeneve (shtrëngatë dhe/apo stuhi lokale) ndërsa në fushën termike vlerat e mëngjesit parashikohen nga 7°C në relievet malore deri në 14°C në ato të ulta, ndërsa në vlerat e mesditës nga 23°C në relievet malore deri në 27°C në ato të ulta.