Reklame:

Te bashkuar ne mbrojtje te natyres Shqiptare – OMSHC-te nenshkruajne marreveshjen e bashkepunimit kombetar

Mbrojtja dhe promovimi i burimeve natyrore në Shqipëri do të jetë në qendër të punës së rrjetit kombëtar “Të Advokojmë për Ruajtjen dhe Promovimin e Natyrës Shqiptare”.

Ky rrjet u formalizua sot në një takim të organizuar nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, të financuar nga Bashkimi Europian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile”.

Në takimin e organizuar ishin të pranishëm presidenti i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), Gent Kromidha, Edvin Pacara menaxher i programit të mjedisit pranë Delegacionit të BE-së, Nihat Dragoti, Fadil Malko, Shkelqim Bylykbashi etj.
Z. Bylykbashi dhe Malko jane perfaqesues te rrjetit lokal  “VENDI YNË, E ARDHMJA E FËMIJËVE TANË” i cili perbehet nga 5 OMSHC qe operojne ne qarkun e Fierit.

Problemet kryesore në ruajtjen e natyrës dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore lidhen me legjislacionin e pamjaftueshëm, mungesën e respektit për sundimin dhe zbatim të dobët të ligjeve ekzistuese, përgjegjësia dhe transparenca minimale nga zyrtarët publikë dhe nivele të ulëta të profesionalizmit. Shpesh korrupsioni në sektorin e mjedisit shkaktohet edhe nga konfliktet midis interesave private, në të ardhura që mund të fitohen nga shfrytëzimi i burimeve mjedisore, dhe interesave publike për një mjedis të shëndetshëm, çka përkeqësohet me vendim-marrje jo transparente, që përjashton zërat e qytetarëve, duke çuar në zhvillime jo të qëndrueshme, që dëmtojnë mjedisin e burimet natyrore. Natyra Shqipëtare mbetet e paaftë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj presioneve të reja dhe kërcënimeve të vazhdueshme, duke përfshirë prerjet e paligjshme, peshkimin, gjuetinë dhe turizmin e pakontrolluar dhe aktivitetet në rritje të rekreacionit; erozionin bregdetar, zjarret, ndotjet, urbanizimin, ndikimet e ndryshimeve klimatike, zbatimin e dobët të ligjit dhe qasjet e paefektshme të menaxhimit në praktikë të territorit, natyrës, përdorimit të burimeve dhe peizazhit natyror.

Vlen të theksohet në këtë kuadër roli i OMShC-ve për t’u angazhuar e bashkëpunuar ngushtë për veprime të koordinuara e aksione të përbashkëta ndërgjegjësimi, për një zë më të fuqishëm e gjithë përfshirës, në çështjet që duan të advokojnë, lobojnë dhe që kërkojnë një reagim qytetar. Ato duhet të luajnë një rol aktiv dhe efektiv në planifikimin dhe zbatimin e masave të ruajtjes së natyrës dhe angazhimin e palëve të tjera të interesit për vendimmarrje koherente. OMSHC-të, duhet të bashkojne forcat dhe formojnë një mesazh bindës mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore për politikë-bërësit, subjektet dhe komunitetin. Të bashkuara mund të përfitojnë, duke mësuar nga përvojat e të tjerëve edhe nga modelet që ndihmojnë të mendojmë dhe veprojmë në mënyrë strategjike. Rrjetëzimi i OMSHC-ve shërben si një mjet për të fuqizuar rolin dhe forcën e veprimeve të përbashkëta të OMShC-ve, si një element kyç i një shoqërie demokratike për të mundësuar një bashkëpunim dhe një dialog frytdhënës në procesin e advokimit për ruajtjen dhe promovimin e natyrës shqiptare.

Kjo marreveshje bën bashkë 5 rrjete kombëtare dhe lokale të përfqësuara nga organizatat e tyre lider, me konkretisht :
1. INSTITUTI PËR RUAJTJEN E NATYRËS NË SHQIPËRI (INCA) – përfaqësuese e rrjetit kombëtar “PËR MBROJTJEN E NATYRËS” (7 OMSHC)

2. HORIZONT EUROPIAN (HEU) – përfaqësuese e rrjetit lokal “VENDI YNË, E ARDHMJA E FËMIJËVE TANË” (5 OMSHC)

3. KLUBI EKOLOGJIK – LEZHË – përfaqësuese e rrjetit lokal “MBROJMË EKOSISTEMIN Kune-Vain-Tale” (6 OMSHC)

4. SHOQATA E BASHKUAR AGRO-MJEDISORE (AGRI-EN) – përfaqësuese e rrjetit lokal “SHEBENIKU” (5 OMSHC)

5. SHOQATA PËR RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E MJEDISIT NATYROR (PPNE) – përfaqësuese e rrjetit lokal “RIVIERA BLU” (6 OMSHC)

Ky rrjet nuk do të kufizohet vetëm në pjesëmarrjen e organizatave të angazhuara në kuadër të projektit, por dhe të rrjeteve lokale të OMSHC-ve dhe të tjera të interesuara për t’u bërë pjesë e nismave advokuese për mbrojtjen  dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura.