Teksa për një pjesë të mirë të vendit problem është uji me orar në disa zona të tjera furnizimi me ujë si shërbim nuk ekziston.
Të dhënat e fundit të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se nga ndarja me tre grupe e ujësjellësve treguesi i mbulimit me këtë shërbim varion nga 83 për qind e popullsisë në 56 për qind të popullsisë.
Bilanci i Ujit i vitit 2019 tregon se për shoqëritë e grupit të parë që janë ato me më shumë se 15,000 lidhje uji mbulimi me shërbim arrin të kryhet për 83% e popullsisë.
“Theksohet fakti që në shoqëritë UK Korçë dhe Pogradec që 100% e konsumatorëve familjarë janë me matje, sasia e ujit të prodhuar është në vlerat rreth 80 litra/ditë, banor. Problemi i cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë me ndërprerje qëndron në nivelin e madh të humbjeve të përgjithshme, ulja e të cilëve me ruajtjen e së njëjtës sasi prodhimi do të sjellë rritjen e kohës së furnizimit me ujë për konsumatorët”, thuhet në raport.
Sipas konstatimit të ERRU mungesa e matësve në prodhim e mos zëvendësimi i tyre në rast defektesh mbetet faktor në luhatjen e nivelit të matjes për ujin e prodhuari dhe përcaktimin real të nivelit të humbjeve në sektor.
Në grupin e dytë të shoqërive ku bëjnë pjesë ato me 3,000 deri 15,000 lidhje uji mbulimi me shërbim arrin të kryhet për 65% të popullsisë në juridiksion.
“Për shumicën e shoqërive, të cilat disponojnë kapacitete të mjaftueshme për furnizimin pa ndërprerje të popullsisë, nevojitet reduktimi i humbjeve të ujit nëpërmjet menaxhimit më të mirë të shoqërisë shoqëruar me investime të reja” vëren raporti i ERRU.
Shoqëritë e grupit të tretë që janë edhe ato më të vogla me më pak fuqi financiare dhe me numër lidhjesh më pak se 3 mijë kanë një mbulim me shërbim që arrin të kryhet për 56% të popullsisë në zonën nën juridiksion.
“Problemi i cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë me ndërprerje qëndron në nivelin e madh të humbjeve të përgjithshme, ulja e të cilëve me ruajtjen e së njëjtës sasi prodhimi do të sjellë rritjen e kohës së furnizimit me ujë për konsumatorët. Mungesa e matësave në prodhim dhe mos zëvendësimi i tyre në rast defektesh mbetet faktor në luhatjen dhe nivelin e ulët të matjes për ujin e prodhuar si dhe përcaktimin real të nivelit të humbjeve në grup”, thuhet në dokument.