Duke filluar nga 15 Tetori, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, ka bërë të ditur se është miratuar dhe “Udhëzuesi mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambjentet jashtë shtëpisë”, që paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambjentet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.
Udhëzuesi përmban parimet e përdorimit të maskës dhe gjithashtu rastet kur ajo duhet të mbahet në ambientet jashtë shtëpisë.
- Sa herë dilni nga shtëpia;
- Cdo individ mbi moshën 11 vjeç;
- Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
- Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar
- Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
- Edhe gjatë ecjes në rrugë
- Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh
- Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj
- Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë
- Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante
- Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes
- Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19
- Në të gjitha institucionet fetare.
- Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shkatarët e tjerë infektivë respiratorë.
- Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.
Vendosja e barrierës mbrojtëse (maskës) nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë. Prandaj, ka disa raste kur ju lejohet të hiqni atë apo të modifikoni përdorimin e saj.
- Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj
- Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.
- Gjatë proçesit të manipulimeve dentare por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.
- Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare
- Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).
- Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli
- Nga punëtorët që punojnë në ambjente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.
- Nga të ftuarit në emisonet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.
Udhëzuesi i miratuar përcakton qartë rastet përjashtimore të përdorimit të barrierës mbrojtjesë (maskës).
- Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
- Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.
- Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.
- Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.
- Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të
- Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.
- Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico në fund të deklaratës së saj ka rikujtuar qytetarët se mbajtja e maskës është e detyrueshme në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe mos zbatimi i kësaj masë do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.