Reklame:

Zv. Ministri Kote: Nafta pa akcize dhe heqja e TVSH-se per inputet e makinerite bujqësore, ul me 50% koston e prodhimit

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote e cilësoi programin e qeverisë për heqjen e akcizës, taksës së qarkullimit dhe karbonit nga karburanti për prodhimet bujqësore, një mbështetje të madhe për fermerët, që do e marrin naftën 80,4 lekë më pak nga sa e paguajnë sot.

Në një intervistë televizive, Kote tha se “karburanti falas për bujqësinë ishte një sfidë për qeverinë shqiptare, pasi ne kishim kohë që po analizonim dhe parashtronim për konkretizim”. “Ishin dy elemente kryesore heqja e TVSH-së për inputet dhe makineritë bujqësore dhe heqja e ngarkesës fiskale për karburantin në bujqësi. Këto dy komponentë zënë rreth 50% të kostos së prodhimit të një kg produkt bujqësor (perime, fruta dhe foragjere)”, u shpreh Kote.

Duke zbritur në 20% TVSH-në e inputeve bujqësore, do të ulet kostoja e prodhimit dhe ndërhyrja që u bë me naftën është ndihmesë në kohën dhe momentin e duhur për të avantazhuar fermerët në rritjen e prodhimit dhe të eksporteve.

“Kemi mbi 300 mijë fermerë sot në vendin tonë nga të cilët 47 mijë janë të formalizuar dhe me NIPT, por në totalin e tyre, këta fermerë janë baza e të gjithë prodhimit dhe eksportit në Shqipëri”, u shpreh Kote.

“Çdo fermer i paformalizuar aplikon dhe brenda 2 apo 3 ditëve nxjerr NIPT-in pa asnjë kosto apo ngarkesë fiskale. Më pas ai bën vetëdeklarim në e-Aalbania për sipërfaqen e tokës bujqësore dhe kulturën që ka mbjellë. Efektshmërinë e portalit e-Albania e pamë në  Skemën Kombëtare, ku fermerët aplikuan dhe e përthithën të gjithë fondin mbi 8 milionë euro të kësaj Skeme. Pra, u vërtetua që fermerët janë të përgatitur në përdorimin e e-Albania që do të shërbejë edhe për skemën e naftës pa akzicë për ta”, – tha Kote.

Ai theksoi se, fermerët e kanë pritur si një mbështetje të jashtëzakonshme naftën pa taksa për bujqësinë dhe nuk do të kenë asnjë problem për aplikimin në këtë skemë.

“Nëse një litër naftë sot një fermer e merr me 1600 lekë të vjetra, duke zbritur të gjitha këto taksat, çmimi do zbritet në 50%. Koeficienti i naftës pa taksa është përcaktuar për çdo kulturë bujqësore. P.sh nëse një fermeri do t’i duhet 200 litra naftë, 50% të kësaj vlere 1600 lekë, në 800 lekë që zbriten fermeri merr falas 100 litra. Kjo është një ndihmë shumë e madhe”, – tha Kote.

“Unë mendoj se sistemi që ne kemi bërë dhe trupa e përgatitur e AZHBR me strukturën e monitorimit edhe përmes platformës online do të sigurojë që nafta pa taksa do të shkojë drejtpërdrejtë tek fermeri”, – u shpreh zv.ministri. Skema e re pajis me kartë fermerin i cili e marr naftën në pikën e karburantit.

“Më parë skema e karburantit për bujqësinë kalonte në 3 duar kurse tani do kalojë në një dorë. Verifikimi? Në radhë të parë duhet të jetë kontrolli i drejtpërdrejtë. Problemi është i lehtë sepse drufrutorët janë të evidentuar dhe nuk ka problem, serrat janë të evidentuara nga ne. Problemi qëndron te kulturat 1-vjeçare, te gruri, misri. Nëse dikush vetëdeklaron pastaj kapet do të ketë masa ndëshkuese e përjashtim. U bëj thirrje fermerëve se marrja e niptit nuk ka shpenzime”, – deklaroi zv.ministri.

Gjatë intervistës, Kote u ndal edhe te kushtet e fermerëve duke thënë se janë më të organizuar. Sipas tij, për 9 muaj janë 160 mijë tonë eksporte, në fruta dhe perime. Ndërsa theksoi se në këtë moment nuk ka stok të prodhimit dhe kërkesa është më e madhe se oferta që kemi për prodhimin vendas bujqësor.  (ATA)