Reklame:

Fruta-perimet/ Mbetemi ne maje te Europes per rritjen e çmimeve te konsumit ne shtator

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që shërben si bazë krahasimore me vendet e tjera të Europës, për muajin shtator fiksohet në 2.3%, tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Shqipëria është vendi i 4-ët në Europë me rritjen më të madhe të çmimeve gjatë Shtatorit, pas Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë.

Muajin paraardhës, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit fiksohej në 2.1%, dhe në Europë, Shqipëria mbante vendin e 5-të.  Pra, krahasuar me shtatorin e një viti më parë, çmimet e konsumit kanë pësuar një rritje prej 2.3%, ndër më të lartat në Europë. Mesatarja europiane ndërkohë, fiksohet në 0.2%, tregojnë të dhënat zyrtare.

Ndikimin më të madh, plot 1.3 pikë përqindje nga 2.3 që është indeksi në shtator e jep kategoria e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike.

Në vendin tonë, Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,0 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,1 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Komunikimi” me 0,4 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili.

Ndërkohë, po të analizojmë me vëmendje të dhënat e publikuara nga instituti i statistikave, vihet re se, gjatë shtatorit, në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, sa i përket ushqimeve, frutat regjistrojnë rritjen më të madhe, prej plot 13.3%.

Frutat ndiqen nga kategoria e zarzavateve me 6.3%. Edhe produktet e peshkut regjistrojne një rritje të ndjeshme, prej rreth 4%, ndërkohë që produktet e mishit janë në vend të fundit, me vetëm 1.6% rritje. Asnjë prej zërave të kategorisë së ushqimeve nuk regjistron rënie të çmimeve gjatë shtatorit.

Që prej periudhës kur vendi doli nga izolimi i pandemise, çmimet e konsumit kanë regjistruar një trajektore rritëse të ndjeshme, duke na “katapultuar” në krye të Europës.
SCAN