Bizneset ushqimore duhet të plotësojnë disa kritere të caktuara për t’u pajisur me certifikatën e cilësisë për produktet që prodhojnë. Me një urdhër të posaçëm, Ministria e Bujqësisë, ka përcaktuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së cilësisë, për përputhshmërinë e produktit bujqësor ose ushqimor me specifikimet teknike të produkteve të regjistruara si specialitet tradicional i garantuar (STG), tregues gjeografik i mbrojtur (TGJM) dhe emërtim origjine i mbrojtur EOM)”.
Në certifikatën e cilësisë, vendoset emri dhe mbiemri i operatorit të prodhimit; adresa e operatorit të prodhimit; emri i produktit bujqësor ose ushqimor; kategoria e produktit bujqësor ose ushqimor, e cila duhet të jetë e njëjtë me të dhënat e deklaruara nga aplikanti në formatin e aplikimit të produktit bujqësor ose ushqimor; ndërsa sasia e prodhimit e deklaruar nga operatori ushqimor gjatë periudhës së vlefshmërisë së certifikatës do të jetë sasia e prodhimit që operatori ka gjendje për treg, në momentin e kryerjes së kontrollit zyrtar. Periudha e vlefshmërisë së certifikatës do të jetë vjetore, bazuar në kontrollet zyrtare sipas analizës së riskut. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.