Reklame:

Legjislacioni kombetar per ruajtjen e natyres/ INCA zhvillon trainim per shoqatat lokale

Burimet natyrore në Shqipëri janë duke vuajtur nga presionet, janë nën kërcënime të vazhdueshme, duke përfshirë prerjet e paligjshme të pyjeve dhe të mbulesës vegjetative, gjuetinë, turizmin e pakontrolluar dhe aktivitetet rekreative jo mirë të menaxhuara, erozionin dhe degradimin e tokës, zjarret, keq menaxhimin dhe përdorimin jo të qëndrueshëm të ujërave, hapjen e guroreve dhe të minierave, ndërtimin e HEC-ve si dhe tjetërsimin e peizazhit natyror.

Zbatimi i dobët i ligjit dhe një menaxhim jo efektiv i aplikuar në praktikë mbetet ndër shqetësimet më kryesore të ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit në Shqipëri. Strukturat qendrore dhe lokale që merren me ruajtjen dhe përdorimin e elementëve të biodiversitetit, menaxherët e zonave të mbrojtura dhe aktorët të tjerë shpesh nuk kanë njohuri, aftësitë dhe mjetet e mjaftueshme. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri nuk është i integruar ende si duhet në politikën kombëtare dhe lokale.

Përfshirja e komuniteteve lokale në ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura ka ende një rrugë të gjatë për të kryer. Aktualisht, kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikave të ruajtjes së mjedisit dhe natyrës, dhe lehtësisht të çon në konflikte të panevojshme dhe keqkuptime, veçanërisht për komunitetet lokale që jetojnë në rajonet me biodiversitetit të larta të vendit.

Komunikimi me pjesëmarrjen e gjërë të publik, nëpërmjet edukimit e zbatimit të praktikave më të mira për ruajtjen e natyrës dhe përdorimin e integruar e të barazpeshuar të burimeve natyrore, mbeten instrumente thelbësore për të rritur mbështetjen për këtë problem dhe për të kontribuar në menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura dhe të burimeve natyrore në Shqipëri.

Në ketë këndvështrim, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, të financiar nga Bashkimi Evropian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile”, organizuan sot Trajnimin Lokal “Mbi legjislacionin kombëtar për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe modelin e pjesëmarrjes publike”.

Trajnimi synoi të përmirësojë njohuritë e OMShC-ve lokale mbi legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe praktikat evropiane më të mira, për të siguruar pjesëmarrjen publike përmes eksperiencave të shkëmbimit të informacionit. Kjo do të rrisë rolin e tyre vëzhgues për të njohur mangësitë në kuadrin rregullator kombëtar.

Ky trajnim do të bëjë të mundur që OMShC-të të kuptojnë se si do të përdorin mjetet e advokimit për të mundësuar zbatimin e një plani advokimi me qëllim përmirësimin e zbatueshmërisë së kuadrit ligjor për ruajtjen e ZM dhe burimeve natyrore në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të AdZM Fier, të shoqatave lokale MEN, Horizont EU, shoqatat e rrjetit lokal  “Vendi yne, e ardhmja e femijeve tane” përfaqësues të Bashkisë Divjake, grupe të interesit si dhe perfaqesues te medias etj.
Partnerët e projektit dhe përfaqësuesit e OMSHC-ve lokale në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e mediave lokale si dhe institucioneve publike lokale rajonale do të punojnë së bashku për të marrë në konsideratë vlerësimin e nevojave për zonën pilote sipas problemeve kritike me të cilat ato përballen dhe do të përcaktojnë instrumentet advokuese për t’i mbrojtur e zhvilluar ato.
Trainimi shërbeu për të krijuar urat e bashkëpunimit dhe komunikimit midis pushtetit lokal, OMShC-ve dhe vetë komunitetit se bashku me mediat lokale për të bashkëpunuar ngushtësisht në zbatim të kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri.