Shqipëria nuk ka kapacitete monitoruese për mjedisin. Ky është ngritur si shqetësim gjatë diskutimit të projektligjit “Për ndryshimet klimatike” në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisin . Pjesë e diskutimit ishin dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kërkuan që në lejet mjedisore të vendoset kusht për subjektet përdorimi i teknologjive të reja, për të eliminuar sa më shumë shkarkimet në mjedis. Ky propozim është kundërshtuar nga përfaqësues të ministrisë si një kosto e shtuar për subjektet
“Gjykojmë se të paktën në pikën e nenit 11 të mund të theksohet se kompanitë duhet të forcojnë Teknologjitë më të Mirë të Mundshme që garantojnë shkarkime të ulëta. Pra që në lejen mjedisore të ketë një lloj pozicionimi të tillë për lejen e mjedisit.” – u shpreh Mihallaq Qirjo, përfaqësues i Shoqërisë Civile.
“Mendoj se do të kishte një kosto shumë të madhe nëse ne nëpërmjet këtij ligji i detyrojmë subjektet të ndryshojnë teknologjitë e tyre, drejt një teknologjie me karbon të ulët.” – u shpreh Eneida Rabdishta, përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit.
Deputeti i PS, Besnik Baraj kërkoi të ngrihet një institucioni i posaçëm që të mbuloj procesin e monitorimit të subjekteve duke mos i lënë në vetmonitorim, ku abuzimet janë të pashmangshme.
“Po qe se ne nuk vlerësojmë çdo subjekt në veçanti, por do tja lëmë vetë në dorë subjekteve se do t’i bëjë vetë monitorimet, ku mund të shkojë në një laborator privat ku shumica prej tyre janë fiktivë dhe do të marrin ca rezultate që kush do t’i kontrollojë. Pra, për mua është një detyrë imperative që të kemi një institucion të fuqishëm.”
Projektligji “Për ndryshimet klimatike” parashikon që përmes politikave të përmirësoj klimën dhe të ul çlirimin e gazit me efekt serre deri ne 11%, masë e cila është vlerësuar si e kenaqshme nga të pranishmit në komision nisur nga niveli i ndotjes që shkakton vendi ynë. (SCAN)