Reklame:

Xixellonja dhe shkelqimi i saj karakteristik!

Xixëllonja është një kandërr e vogël, e cila ngado qe shkon përhap dritë aty nga fundi i bishtit të vet. Të gjithë e njohim, të paktën me emër. Ose në mos e kemi parë duke u endur mbi barin e Iivadheve si ndonjë xixë a shkëndijë e shkëputur që vjen në hapësirë.

Grekët e vjetër e patën pagëzuar bishtndritur. Ndërsa shkencetaret e kane pagëzuar me emrrin latinisht Lampyris noctiluca, që do të thotë krimbi i flaktë ndricues e natës. Në shqipëri përvec emrit xixellonjë i thërrasin edhe shkëndijëz ose bukurezë.

Mashkulli i xixëllonjës ka dy palë krahë, dy krahët e sipërme mbulojnë e mbrojnë dy të tjera të brendshëm, të cilat insekti i ka për fluturim.

Femra nuk e ndien kënaqësinë e fluturimit, mbasi gjithë jetën e saj mbetet në fazën e larvës, ose në formën jo të plotë. Shpinën e ka në bojë kafe të errët dhe kraharorin në ngjyrë rozë të zbetë. Ndërsa çdo segment i trupit të saj ka dy njolla të kuqe mjaft të ndezura.

Në kundërshtim me dukjen e saj të qetë xixëllonja është një gjahtar mishngrënës. Preja e tij e zakonshme është kërmilli, fakt ky i njohur me kohë.

Po ajo që nuk dihet mirë është mënyra se si e sulmon kërmillin. Kjo gjë që i ka habitur vëzhguesit, se nuk kanë ndeshur në ndonjë shembull të tillë. Xixëllonja para se të nisë të hajë viktimën, e vë në gjumë. Pra e bën të pandjeshëm, ashtu siç e bëjnë mjekët me anë të narkozës pacientin e tyre para se ta operojnë.

Ushqimi i xixëllonjës është një lloj kërmilli, që vështirë të arrijë madhësinë e një kokrre qershie. Ai mblidhet shuk në kohën e vapës nëpër kërcellët e thatë e të ashpër. Aty qëndron pa lëvizur fare gjithë ditën e nxehtë të verës.

Në vende të këtilla e kanë parë vrojtuesit shpeshherë xixëllonjën duke ngrënë prenë e vet, mbasi e paralizon para syve të tyre. Por xixëllonja frekuenton edhe vende të tjera. Buzë hendeqeve dhe kanaleve të freskëta e plot lagështi, ku bimësia është e shumëllojshme, atje ka edhe mjaft kërmij.

Në të tilla vende xixëllonja e ngordh kërmillin pa vështirësi të madhe. Po qe se ky i fundit nuk është as shumë i madh dhe as shumë i vogël. Vëzhguesi duhet të këtë durim dhe të presë. Mbi të gjitha, të vrojtojë me kujdes, se ngjarjet zhvillohen papritmas dhe shpejt.

Për një çast xixëllonja nis të vëzhgojë prenë e vet. Kermilli sipas zakonit që ka, mbyllet brenda në guaskë, duke i mbetur pak jashtë manteli. Në këtë moment gjahtari nxjerr organin e sulmit. I cili përbëhet nga dy grepa shumë të mprehtë dhe të hollë, sa një fije floku, që ndodhen në gojë të tij.

Në mikroskop mund të dallohet dhe një kanal shumë i hollë, që përshkon nga lart poshtë grepat. Kjo dhe vetëm kjo është arma e xixëllonjës. Insekti godet mantelin e kërmillit me këtë mjet aq lehtë, sa të lë përshtypjen sikur nuk po e thumbon, por vetëm po e prek.

Ai i drejton goditjet herë pas here duke bërë një farë pushimi. Numri i këtyre «pickimeve» të lehta nuk është edhe aq i madh, nja gjashtë a shtatë prej tyre mjaftojnë që ta bëjnë kërmillin të qëndrojë pa lëvizur.

Pas kësaj është parë xixëllonja që, si vetëtimë, të sulmojë viktimën dhe, nëpërmjet grepave të pajisur përbrenda me kanal, t’i hedhë edhe një farë helmi.

Vëzhguesit kanë bërë studime me viktimat e xixëllonjes. Ata kanë marrë këto viktima, pasi janë thumbuar nga xixëllonja, dhe i kanë shpuar me gjilpërë e asnjë reagim, asnjë dridhje. Pra viktimat janë bërë të pandjeshme.

Atëherë vëzhguesit i kanë lagur me ujë të freskët dhe kanë vënë re se pas disa ditëve ato kanë filluar jetën normale, si gjithë kermijte e tjerë. Xixëllonja e ha viktimën aty ku e paralizon.


Xixëllonja femer duke u ushqyer mbi prene e saj

Lind pyetja tani, si e ha vallë? Ajo e ha duke e coptuar kafshata-kafshata?

Jo, ajo nuk “e ha”, por “e pi” prenë e vet. Pra, viktimën, ajo e shndrron në një farë qulli të hollë, pastaj e përlan ashtu të lëngshëm.

Po të vemë pas pak ditësh te vendi ku xixëllonja ka ngrënë viktimën e vet. Duke ngritur me dorë guaskën e kërmillit në fjalë, do të shohim të derdhet jashtë një lëng i hollë. Ky lëng s’është veçse një mbeturinë e papërfillshme. Mbasi mishin e transformuar në qull, e ka ngrënë e mbaruar me kohë xixillonja.

Xixillonja ka dhe një cilësi tjetër të rrallë. Ajo prodhon dritë të veten. Te femra e xixëllonjës, organi ndriçues gjendet në tri segmentet e fundme të trupit. Ajo prodhon një dritë të bardhë të përzier lehtë me një nuancë të kaltër.

Mashkulli i xixëllonjës e ka organin ndriçues në segmentin e fundit. Ndriçimi prodhohet prej organeve frymë-marrëse të insektit.

Ka disa lëndë në natyrë që kur bien në kontakt me ajrin, shpërthejnë në flakë e në dritë. Ky veprim quhet oksidim. Pra “llamba ndriçuese” e këtij insekti nuk është gjë tjetër veçse përfundimi i oksidimit.

Mbi lëkurën e brezit ndriçues, vrojtuesit kanë parë në mikroskop një substancë që i ngjan sherbetit të hollë të gelqeres. Kjo pra është lënda që oksidohet, kur ajri arrin atje me anën e një gypi të lidhur me organet e frymëmarrjes së xixillonjës.

Organi ndricues tek xixëllonja është i lidhur me frymemarrjen e saj

Është vënë re se drita vjen e forcohet, kur shtohet ajri, i cili kalon nëpër gypin e frymëmarrjes, dhe, përkundrazi, kur ajri pakësohet nëpër gyp, drita vjen gradualisht duke u zbehur ose shuhet fare. Çdo ngacmim e shqetësim ka efektin e vet mbi gypin e ajrit.

Përsa i përket organit ndriçues të femrave të xixëllonjës, në mos fare, ky preket shumë pak nga shqetësimet e befasishme të jashtme. Po të zbrazet një pushkë aty pranë, krisma nuk jep asnjë rezultat. Ndriçimi vazhdon njësoj si më parë. Edhe në u spërkatshin lehtë me uji të ftohët, asnjë nga femrat nuk i shuan dritat.

Kur u është hedhur ndonjë shtëllungë tymi nga pipa e vrojtuesit, është shkaktuar midis tyre një farë trazimi dhe shqetësimi, janë shuar disa “llamba”, por këto janë ndezur prapë shpejt e pa vonesë.

Po të merren femrat ndër duar dhe të ngacmohen pak me gisht, po pa i shtypur e shtrënguar shumë. Fuqia ndriçuese e tyre ulet vërtet, por fare pak, dhe normalizohet përsëri me të pushuar ngacmimi.

Xixëllonja nuk pushon së ndriçuari, që kur e fillon e gjersa e mbaron jetën. Asaj i ndrisin bile bile edhe vezët e larvat deri në një farë shkalle.

Me të arritur moti i ftohtë, larvat futen nëntokë, po cekët e jo shumë thellë. Në gërmofshim pak dheun, aty rrotull ku ndodhen, do të dallojmë dritëzat e tyre të vogla, të shndrisin dobët. Edhe nën tokë, “fenerë” e tyre qëndrojnë gjithnjë të pashuar.