Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë sërish tregun e karburanteve në vend. Në fund të muajit tetor, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve. Hetimi do të përfshijë periudhën tetor 2017-tetor 2020 dhe synon të mbledhë shenja të mundshme të kufizimit të konkurrencës në tregjet e mësipërme.
Importi, depozitimi dhe ngarkim-shkarkimi i karburanteve në territorin e Republikës së Shqipërisë realizohet nëpërmjet tre koncensioneve, në zonën gjeografike të Gjirit të Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit.
Tre ndërmarrjet që ofrojnë këtë shërbim janë La Petrolifera Italo-Albanese në portin Vlora-1, si edhe shoqëritë Romano Port dhe Port MBM, në zonën e Porto Romanos.
Shoqëria Romano Port ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit të ngarkim-shkarkimit në zonën e Porto Romano, me kapacitet të kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, deri në 20 mijë tonë. Koncesionari më i ri, Porti MBM ka të drejtën ekskluzive për përdorimin e portit duke e vendosur atë në pozita monopol për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 mijë tonë.
Këto të dhëna tregojnë se secili prej operatorëve të mësipërm ndodhet në pozita monopol, të lidhura ose me zonën gjeografike, ose me kapacitetet e shërbimit. Problem tjetër është fakti se aksionerët e porteve të Porto Romanos janë njëkohësisht të pranishëm edhe në hallkat e tjera të importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Në teori, kjo krijon potenciale për shfrytëzimin e pozitës dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit për të dëmtuar konkurrentët në hallkat e mëtejshme të tregtimit të karburanteve. Ndërmarrja Romano Port sh.a ka aksioner kontrollues biznesmenin e hidrokarbureve Piro Bare, ndërsa Porti MBM kontrollohet nga dy importuesit më të mëdhenj të karburanteve në vend, Shefqet Kastrati dhe Frident Kuqi.
Tregu i importit të karburanteve është gjithashtu mjaft i përqendruar, ku tre kompani zotërojnë mbi 80% të tregut.
Mbështetur në numrin e kufizuar të operatorëve që realizojnë ngarkim-shkarkimin dhe depozitimin e karburanteve në dy portet Vlora-1 dhe Porto Romano, dhënë me koncension, ku secili koncnsionar operon me modele të ndryshme dhe zotëron pozitë dominuese në zonën gjeografike, portin ku operon, dhe strukturës shumë të përqendruar të tregut të karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se nga kjo mund të lindin dyshime për sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje.
Tregjet e karburanteve ka qenë disa herë objekt i hetimeve të mëparshme nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vitin 2012, kompania Romano Port sh.a u gjobit me 6.7 milionë lekë për abuzim me pozitën dominuese të ndërmarrjes në tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm të naftës në rrugë detare.