Bizneset e vogla nuk po arrijnë të mbijetojnë në një treg ku konkurrenca sa vjen e po shtohet nga zinxhirët e mëdhenj të tregtimit dhe ku konsumi është në tkurrje.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar ka ardhur vazhdimisht në ulje që nga viti 2016. Në fund të 2019-s, në vend kishte 89.3 mijë biznese të vogla, nga gati 97 mijë që u shënua niveli rekord në 2016-n, me një rënie prej 7.5%, ose rreth 7300 subjekte më pak.
Në të kundërt, bizneset më të mëdha duket se po shkojnë drejt konsolidimit dhe rritjes. Numri i subjekteve me 5-9 të punësuar është rritur me gati 18% në periudhën 2016-2019, duke arritur në 7,472.
Më e fortë ka qenë rritja e sipërmarrjeve që kanë nga 10 deri në 49 të punësuar, që në katër vitet e fundit janë shtuar me 32%, duke arritur në 5,836.
Ndonëse në rritje, vendi ka shumë pak sipërmarrje të mëdha, që kanë mbi 50 punonjës. Numri i tyre është 1,429 në fund të 2019-s, me një zgjerim prej gati 25% në katër vitet e fundit.
Në total, numri i subjekteve në vend në 2019-n ishte 4% më i ulët se në 2016-n (rreth 4,400 sipërmarrje më pak), që ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e mbylljes së të vegjëlve.
Pavarësisht rritjes së të mëdhenjve, subjektet e vogla me deri në 4 të punësuar janë mbizotëruese, duke përbërë 86% të ndërmarrjeve në vend. Ato janë të rëndësishme sidomos sa i përket punësimit, ku pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar. Sipas INSTAT, në fund të 2019-s kishte 147 mijë të punësuar në këto ndërmarrje, ose gati 28% e punësimit në privat në total.
Subjektet me 5-9 të punësuar përbënin 7.2% të numrit të ndërmarrjeve në vend. Në to janë të punësuar 48 mijë punonjës, ose 9.1% e totalit.
Më e rëndësishme është pesha në punësim i sipërmarrjeve me 10-49 të punësuar, që kanë në listë pagesa rreth 115 mijë punonjës (gati 22% e totalit).
Ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar zënë 1.4% të totalit të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në vend, ndonëse këto të fundit janë të rëndësishme sa i përket qarkullimit vjetor dhe punësimit, me 220.5 të punësuar në vend, duke qenë më të rëndësishmit në vend në listëpagesat e subjekteve private.
Sipas INSTAT, Gjatë 2019, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 46,8% të shitjeve neto, 41,6% të të punësuarve gjithsej dhe 56,3% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4% të ndërmarrjeve aktive.