Reklame:

Skema e naftes per bujqesine, ja sa do te perfitojne fermeret!

Skema e shpërndarjes të naftës për fermerët për 2021 parashikon dhënien e saj me çmim 63,8 lekë/l (e zhveshur nga 4 taksa) për 56% të sasisë të totalit të sasisë që përdoret nga fermerët për çdo hektar të mbjella e ndarë në 3 kategori kulturash bujqësore.

Nafta do të shpërndahet nëpërmjet kartave individuale të fermerëve pas aplikimit online në e-Albania. Në total fondi që do të vihet në dispozicion për naftën pa taksa është me vlerë 950 mln lekë, ndërsa 50 mln lekë do të përdoren për monitorimin e sistemit të shpërndarjes. Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare për përcaktimin e kritereve bazë, të masës së përfitimit dhe mënyrës së përdorimit të fondit për skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë, për vitin 2021 parashikon se cilat kategori të fermerëve do të jenë përfitues.

Tabela shoqëruese e vendimit përcakton se përfitues të naftës falas do të jenë fermerët në ndara sipas 3 kategorive të kulturave bujqësore, si: në bimë arrash (duke përfshirë misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjere njëvjeçare, industriale patate, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore); drurët frutorë (të gjitha llojet e frutave, agrume dhe vreshta, arra, bajame, lajthi dhe gështenja. Për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore); perime (të gjitha llojet e perimeve, përfshirë edhe shalqinin, pjeprin e luleshtrydhen.) në vendim për caktohen edhe normativat e konsumit të naftës për ha për të gjithë këto grupe dhe nëngrupe që nafta do të jepet falas. Konkretisht sipas tabelës për kultivimin e 1 ha misër një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet apo 106 l naftë do të përfitohen me çmim 63,8 lekë/litër.

Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Subjekte përfituese nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë do të jenë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë veprimtari bujqësore.

Vendimi

Subjektet përfituese duhet të plotësojnë këto kritere: a) fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv, ndërsa personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT-in/NUIS-in me status aktiv me aktivitet bujqësor; b) të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; c) madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 0.4 (zero pikë katër) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 (zero pikë një) ha.

-Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim.

– Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon: a) 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1 të këtij vendimi; b) subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen deri në 10 ha, përfitojnë sasitë sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të kësaj pike, ndërsa për pjesën tjetër mbi 10 ha përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar.

-Normativa e reduktuar përllogaritet bazuar në nevojat për naftë të subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, si dhe në sasinë e mbetur të naftës në dispozicion, pasi janë plotësuar nevojat deri në 10 ha të të gjitha subjekteve, që janë kualifikuar si përfituese.

-Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me akt të ministrit, caktohet një njësi e posaçme, ku mund të angazhohen edhe burime ad hoc, për të garantuar zbatimin, monitorimin dhe koordinimin e të gjithë procesit që lidhet me skemën e mbështetjes së naftës për bujqësinë.

-Procesi i verifikimit/kontrollit administrativ të aplikimeve, kualifikimit, vlerësimit dhe përcaktimit të përfituesve nga skema e mbështetjes së naftës për bujqësinë do të kryhet nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor.

-Procesi i kontrollit në terren, pas shpërndarjessë naftës te subjektet përfituese, kryhet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

-Për të menaxhuar procesin e shpërndarjes e të monitorimit të naftës për bujqësinë ngrihet sistemi i menaxhimit të informacionit, nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si një instrument që do të mundësojë: a) menaxhimin e aplikimeve online të subjekteve, nëpërmjet grumbullimit dhe shqyrtimit administrativ të tyre nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor, si dhe vlerësimin e sasisë së naftës që përfitohet, mbështetur në vetëdeklarim dhe te sipërfaqet e tokës bujqësore e kulturat bujqësore të deklaruara; b) menaxhimin e shpërndarjes së kartave individuale të naftës te subjektet përfituese, si dhe gjurmimin e tërheqjeve të naftës prej tyre; c) përzgjedhjen e subjekteve përfituese që do t’i nënshtrohen kontrollit në terren nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, si dhe menaxhimin e këtij procesi, i cili do të vlerësojë përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale në terren; ç) gjenerimin e raportimeve të ndryshme, në faza të caktuara të zbatimit të skemës, sipas kërkesave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

-Nafta për prodhim bujqësor do të shpërndahet nga operatorët furnizues të kontraktuar në bazë të përzgjedhjes, sipas procedurave ligjore prokuruese kuadër, nëpërmjet pikave të tyre të shpërndarjes në të gjithë vendin, ku fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur sasia e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.

– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural realizon procedurat e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e naftës për përdorim nga fermerët në sektorin e bujqësisë, në zbatim të vendimit nr. 82, datë 14.2.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra dhe shërbime”, të ndryshuar, si dhe në zbatim të përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 137/2020,

-Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20%, sipas përcaktimeve të shkronjës “a”, të pikës 14, të këtij vendimi, ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit. Referuar paragrafit të parë të kësaj pike, subjektet me status fizik dhe juridik shpallen edhe debitor për vlerën e përfituar në mënyrë të padrejtë.