Bujqësia do të vijojë rritjen gjatë vitit 2021, e shtyrë nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me perime, investimet në zinxhirin e magazinimit dhe eksportit, si dhe rritjes së kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare.
Kriza e pandemisë që ka goditur të gjithë sektorët e ekonomisë e ka ndikuar më pak zinxhirin e furnizimit ushqimor. Në vitin 2020, në janar-tetor, eksportet e prodhimeve bujqësore u rritën me 10%, me vlerë 32 miliardë lekë (257 milionë euro).
Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh, duke zënë 14% totalit. Rezultatet pozitive u udhëhoqën nga shitjet e perimeve, të cilat shënuan rritje vjetore me 14% në 10-mujor, duke arritur vlerën e 7.4 miliardë lekëve, ose 60 milionë eurove. Edhe për vitin 2021, rritja në sektorin e bujqësisë do të vijë nga zhvillimet pozitive në hallkën e magazinimit dhe eksportit.
Përfaqësues të kompanisë “Doni Fruits”, eksportuesi më i madh në vend i prodhimeve bujqësore, thanë se eksportet ishin më të larta në 2020-n. Ata parashikojnë zgjerim të aktivitetit këtë vit, prej kontratave të reja dhe rritjes së sasive të eksportit. “Doni Fruits” eksporton në 35 vende të Europës dhe së fundmi, ka nënshkruar një kontratë furnizimi në Arabinë Saudite. Një pjesë e suksesit ka ardhur falë përmirësimit të zinxhirit të vlerës, pasi kompanitë eksportuese po asistojnë me këshilla fermerët dhe po sjellin fara dhe fidanë që të prodhojnë për kërkesën e vendeve partnere.
Sektori i prodhimit, hallka që siguron fitimet më të ulëta në bujqësi po rrit, vit pas viti, rendimentin si pasojë e përmirësimit të kultivarëve dhe mënyrës së trajtimit. Stavri Gjini, i cili drejton një shoqatë fermerësh në Myzeqe, pohoi se pandemia nuk e ka ndërprerë asnjë ditë punën në fushë. Gjini thotë se kualiteti i farave dhe fidanëve, si dhe plehrave, është përmirësuar dhe për rrjedhojë, prodhimet dhe shitjet po përmirësohen.
Rritja më e lartë e prodhimit pritet te prodhimet tipike të fushës, si domatja, bostanorët dhe kastraveci, thotë z. Gjini. Eksportet e këtyre prodhimeve shënuan rritje dyshifrore gjatë 10-mujorit 2020 në raport me një vit më parë, në kulmin e një krize ekonomike të pashoqe. Në dekadën e fundit, eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme të larta prej bazës së ulët, rritjes së kërkesës në tregjet e huaja dhe prodhimit më të hershëm sezonal në vendin tonë.
Sipas eksportuesve, bujqësia do të vijojë rritjen edhe në vitin në vijim për shkak të përmirësimit të bashkëpunimit në të gjithë zinxhirin e saj. Kastriot Gogo, i cili prej vitesh operon në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore, shprehet se, pavarësisht vështirësive është rritur bashkëpunimi në zinxhirin e bujqësisë. “Ne i këshillojmë dhe i asistojmë, madje i furnizojmë fermerët me të cilët bashkëpunojmë me fidanë dhe plehra, me qëllim që të përfitojmë prodhimet cilësore që Europa kërkon”, tha ai.
Dy vitet e fundit, cilësia e prodhimeve është përmirësuar dukshëm pas disa incidenteve që u shfaqën vitet e kaluara ku prej dyshimeve, për cilësinë, disa kamionë u kthyen në pikat kufitare.
Pandemia ka nxitur të ushqyerit e shëndetshëm në të gjithë botën. Regjimi i kontrolluar ushqimor me fruta e perime të freskëta dhe çajet janë parë si profilaktike për të forcuar imunitetin. Kjo tendencë e ka mbajtur kërkesën për ushqime të qëndrueshme, në një kohë që kërkesa për mallra të tjera joushqimorë ka pësuar rënie.
Krahas frutave dhe perimeve të freskëta pritet të ketë rritje edhe në eksportet e frutave dhe zarzavateve të përpunuara prej investimeve të reja në këtë hallkë të zinxhirit. Ndonëse hapësira për rritjen e eksporteve në këtë hallkë të rëndësishme të bujqësisë është ende shumë e madhe, sinjalet e dy viteve të fundit janë pozitive. Në fund të 10-mujorit 2020, eksportet e këtij grupi arritën 2.4 miliardë lekë, me një rritje 22% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Rritja do të nxitet edhe prej investimeve me cikël të mbyllur në bujqësi. Kompania “Doni Fruits”, përveç ndërtimit të magazinave frigoriferike, po merr toka me qira, të cilat i mbjell me fidanë dhe fara të importuara nga vendet e BE-së, pastaj i depoziton në pikën e grumbullimit me kushte frigoriferike, ndërtimi i së cilës përfundoi më 2020 dhe më tej i eksporton ato.(Monitor)