Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me fond 97 milionë lekë, për Ministrinë e Bujqësisë. Tenderi flet për krijimin e një sistemi të posaçëm për shpërndarjen dhe monitorimin e karburantit për fermerët.
“Nëpërmjet këtij sistemi, skema e karburantit për bujqësinë do të mund të menaxhohet që nga aplikimi i subjekteve (fermerë individualë, persona fizikë dhe juridikë), kontrolli administrimit dhe aprovimit të aplikimeve, shpërndarja e kartave të karburantit te subjektet përfituese, gjurmimi i shpërndarjes së karburantit për subjektet dhe verifikimi i punimeve/kultivimeve bujqësore në terren” specifikohet në dokumentacionin bashkangjitur tenderit.
Ndër të tjera, sistemi pritet se do të ndërveprojë me platformën e – Albania, për pritjen e aplikimeve dhe komunikimin me subjektet fituese, sipas fazave dhe procedurave.
Shpallja e tenderit vjen në kuadër të skemës së re mbështetëse për bujqësinë, ku fermerët do të mund të përfitojnë mesatarisht nga 70-100 litra naftë falas për çdo hektarë tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.
Sipas detajeve të tenderit, sistemi do të realizohet brenda një afati kohor 4 mujor.