Qendra “Shpendët e Shqipërisë” dhe 35 Organizata të tjera të Shoqërisë Civile Mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i kane dërguar një letër të hapur Kryeministrit të Shqipërisë Z.Edi Rama, ku i kërkojnë anulimin e planeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Vjosë-Narta është një prej Zonave Kreysore të Biodiversitetit më të rëndësishme në Mesdhme dhe një prej segmenteve më të rëndësishëm të Korridorit të Shtegtimit të Adriatikut ku pothuajse tërësia e popullatave folezuese të Evropës për shumë lloje shpendësh ndalojnë dy herë në vit për të gjetur ushqim dhe strehë gjatë shtegëtimit të tyre nga jugu në veri në pranverë dhe anasjelltas në vjeshtë.
Vjosë-Narta është një prej aseteve më të çmuara me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin social-ekonomik të vendit tonë, marrë për bazë prirjen globale gjithmonë dhe në rritje të turizmit natyror. Shkatërrimi i Vjosë-Nartës, do të cënonte rëndë zhvillimin e turizmit të natyrës në Shqipëri dhe sidomos në rajonin e Vlorës, të cilit do t’i zhdukej nga harta destinacioni turistik më tërheqës. Ndërtimi i këtij aeroporti në pamje të parë duket sikur do të ndihmojë ekonominë vendase, por në thelb është një prej investimeve më të verbra që dëmton në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen e Vlorës dhe gjithë vendit. Nese ky aeroport ndërtohet në Vjosë-Nartë, turistët e huaj do kenë një destinacion më pak për të vizituar në Vlorë dhe do të qëndrojnë e shpenzojnë më pak.
Në vijim, ndërtimi i këtij aeroporti, brenda zonës së mbrojtur bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, duke shkelur në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria, si vend sovran, me integritet dhe aspiratë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka ratifikuar. Madje, kjo është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Raportin e vitit 2020 (faqe 106, paragrafi 2) sikurse citohet më poshtë:
“Legjislacioni mbi investimet strategjike ngre shqetësimin për ruajtjen e biodiversitetit, sepse mund të lejojë investime të mëdha turistike apo industriale në zonat e mbrojtura, si për shembull propozimi për të ndërtuar një aeroport në zonën Vjosë-Nartë. Kjo bie ndesh me ligje të tjera në nivel kombëtar dhe me konventat ndërkombëtare të ruajtjes së biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar.”
Pra ky plan, ndër të tjera, na krijon pengesa edhe në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, aspiratën kryesore të shqiptarëve në 30 vitet e fundit.
Më tej, pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike. Rastet e rrëzimit të aeroplanëve si dhe avaritë e shumta të tyre të shkaktuara nga përplasja me shpendët e egër janë të mirë dokumentura. Ky fakt, sërishmi e bën Vjosë-Nartën të papërshtatshëm për këtë investim të madh publik.
Ftojmë të gjitha grupet e interesit dhe publikun e gjerë, t’i bashkohen nismës sonë të përbashkët, për të shpëtuar vendin nga ky veprim i verbër, i paligjshëm dhe tejet i rrezikshëm, që përbën një kërcënim serioz jo vetëm për larminë biologjike por për vetë të ardhmen e Shqipërisë.
Letrën e plotë, mund ta gjeni kut: https://birdsofalbania.com/leter-e-hapur-e-organizatave…/