Reklame:

Gjuetia e ndaluar, por vrasja e kafsheve dhe shpendeve te eger vazhdon!

Grupet që merren me mbrojtjen e kafshëve të egra thonë se autoritetet nuk po arrijnë të vënë në zbatim një ndalim të gjuetisë, tashmë në fuqi prej shtatë vitesh, duke lënë të pambrojtura një numër speciesh të rrezikuara.

Shtatë vjet pasi Shqipëria ndaloi gjuetinë, grupet e mbrojtjes së kafshëve të egra thonë se praktika mbetet e përhapur dhe se autoritetet po mbyllin sytë para shkeljeve të ligjit.

Që kur ndalimi u fut në fuqi në 2014, policia i tha BIRN se ata u kanë përcjellë prokurorëve më shumë se 260 raste gjuetie të paligjshme. Aktivistët thonë se shkalla e vërtetë e problemit është edhe më e madhe.

“Moratoriumi i gjuetisë, i cili teorikisht duhet të kishte normalizuar situatën në lidhje me gjuetinë e paligjshme në vend, në fakt bëri shumë pak në këtë drejtim, pasi rastet e gjuetisë së paligjshme vazhdojnë të shfaqen të pa shqetësuara pothuajse në të gjithë vendin”, tha Aleksandër Trajce, kreu i Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNA.

“Mosndërhyrja e agjencive të zbatimit të ligjit dhe mungesa e ndëshkimeve për gjuetarët e paligjshëm e ka kthyer praktikisht moratoriumin në një ligj që ekziston vetëm në letër, ndërsa situata në terren është plotësisht jashtë kontrollit”, tha ai për BIRN.

Rënie e numrave të kafshëve të egra

Shqipëria vendosi një moratorium dy-vjeçar, mbarëkombëtar, për gjuetinë në 2014, të zgjatur në 2016 edhe për pesë vjet të tjera. Ndalimi përfundon në qershor të këtij viti.

Në atë kohë, studimet e pavarura dhe të dhënat e mbledhura nga ministria e mjedisit treguan një rënie të madhe të popullsisë së botës së egër në dekadën e mëparshme.

Ndërsa ligji lejon gjuetinë për qëllime kërkimi shkencor dhe për të trajtuar mbipopullimin në rezervatet e specifikuara të gjuetisë dhe shumimit, pamjet që tregojnë gjuetinë e paligjshme janë tepër të përhapura në rrjetet sociale.

“Edhe për rastet më flagrante të gjuetisë së paligjshme, të tilla si vrasja e një rrëqebulli në malësitë e Elbasanit në maj 2020, agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë ndëshkuar ende askënd”, tha Trajce, duke inkurajuar autorët që të vazhdojnë.

Trajce vuri në dukje se në rastin e Rrëqebullit Ballkanik, kanë mbetur vetëm 10 të tillë në vend, që do të thotë se vrasja e një të tilli mund të rrezikojë të gjithë popullsinë.

Mungesë masash të duhura

Erald Xeka, një biolog në Shoqërinë Ornitologjike Shqiptare, AOS, tha se moratoriumi fillimisht tregoi premtime, por shumë shpejt ia la rrugën zhgënjimit.

“Në disa raste të shumta të raportuara në Policinë e Shtetit, ne vërejmë se ka një mungesë të trajtimit të duhur”, tha Xeka për BIRN. “Shumë herë jemi përballur me situata të pakëndshme kur na është dashur të shoqërojmë oficerë të policisë në vendin e krimit dhe të përballemi me shkelësit e ligjit.”

Xeka tha se gjuetia e paligjshme ishte një problem veçanërisht në rajonin e grykëderdhjes së lumit Seman në skajin jugor të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Shqipërinë perëndimore si dhe në male.

Ai gjithashtu vuri në dukje tregtinë në internet të kafshëve të egra si një tjetër shkelje të moratoriumit.

Nga ana tjetër, Themi Perri, kreu i Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, u ankua se ndalimi kishte kriminalizuar “gjuetarë të ndershëm” dhe “u kishte dhënë krahë kontrabandistëve”.

Në Shqipëri ka rreth 75,000 armë gjahu të regjistruara, si dhe një numër të madh armësh automatike të paligjshme.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Grupi Këshillimor Kundër Krimit Mjedisor bëri thirrje për veprim të përmirësuar institucional dhe ligjor kundër krimit mjedisor, duke thënë që fenomeni ishte në rritje. (Reporter.al)